E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëzit manipulojnë kujtimet dhe braktisin ndërgjegjen e vërtetë

Valeria Dedaj

Ekspozita Çështje personale e piktorit italian Marco Fantini prezantohet në galerinë The Promenade në Vlorë deri më 13 qershor. Punimet janë 16 piktura, një video dhe një instilacion me 60 vizatime dhe fotografi të përpunuara dhe të montuara në korniza antike. Dyshimi i tij në çdo gjë, e shtyn të analizojë të njëjtin problem në këndvështrime të ndryshme, me media të ndryshme.

Historia e veçantë se si lindi kjo ekspozitë na rriti kuriozitetin për të zhvilluar një bisedë me piktorin.

Ditën që humbi të atin, Marco Fantini nisi të vëzhgojë me kujdes shtëpinë e tij, studioi dhe preku të gjitha objektet e tij: fotografitë e vjetra, mobiliet, qilimat, artikujt misteriozë, pikturat, librat, rrobat etj.. Ai përjetoi të gjitha fazat e sëmundjes së babait, por nuk u pajtua asnjëherë me vdekjen, sepse ideja që i ati po largohej përfundimisht ishte për të e padurueshme. Ka parë se si i ati vuante në heshtje, por vetëm sot, tre vjet më vonë nga humbja e tij, e ka pranuar që ai nuk është më. Prandaj ekspozita mund të jetë e nxitur nga një dëshirë e pavetëdijshme për pavdekësi, përderisa lindi pas këtij vëzhgimi. Ky moment u bë vendimmarrës që të gjitha këto kujtime të kthehen në art.

 

Nga nisi kjo ekspozitë?

Nuk besoj se jam artist konceptual, edhe pse e gjithë puna ime mbështetet prej shumë vitesh në të njëjtën temë: atë të identitetit. Nuk e kam zgjedhur unë dhe as nuk e kam kërkuar, ka qenë karakteri dhe historia ime personale çka më kanë shtyrë drejt saj. Unë gjendem gjithmonë aty. Kjo ekspozitë nuk është planifikuar në tryezë. Profesionin tim unë e përjetoj si një proces njohjeje dhe kur përfundoj një cikël me punime, ulem dhe i shikoj për një kohë të gjatë duke kërkuar të zbuloj në brendësinë e tyre diçka që mund të më çojë në një nivel të lartë ndërgjegjësimi. Ashtu siç kam shkruajtur në tekstin që shoqëron ekspozitën, kohët e fundit një pjesë të mirë të energjive të mia ua kam kushtuar vëzhgimit të hapësirave të brendshme dhe objekteve që më rrethojnë. Kështu që mund të them se thelbi i këtij ekspozimi gjendet duke kërkuar në brendësi të kësaj periudhe të gjatë vëzhgimi.

Çfarë kuptuat gjatë rrugës?

Nuk do doja të bëhesha retorik, por e vërteta është që kam punuar për muaj të tërë duke menduar rreth figurës së babait tim, i cili është larguar nga jeta tre vjet më parë dhe rreth familjes sime që shikoj rrallë por që e perceptoj si jetime të stabilitetit e saj.

Çfarë emocionesh ke përjetuar kur je kthyer në shtëpi ?

Kur u riktheva tani, pas ekspozitës ndjeva një ndjesi qetësiesikur diçka kishte mbërritur në destinacion.

Çfarë janë kujtimet të cilat mbartin një histori?

Të gjitha kujtimet përmbajnë një histori. Duke folur në mënyrë artistike unë nuk citoj kurrë kujtimet personale në punën time. Të paktën përpiqem të mos e bëj këtë në mënyrë tekstuale, edhe pse mendoj se njerëzit manipulojnë kujtimet e tyre në interes personal duke braktisur kështu ndërgjegjen e tyre të vërtetë.

Çfarë pikëpyetjesh lënë njerëzit kur ikin?

Dua të jem i sinqertë: kam jetuar të gjitha fazat e sëmundjes së babait tim duke refuzuar në mënyrë kategorike vdekjen. Ideja që mund të largohej përfundimisht më ishte e padurueshme. Si spektator kam parë babanë tim të vuante në heshtje dhe rrallëherë kam perceptuar frikën dhe dobësinë e tij. Vetëm sot, tre vjet më vonë nga humbja e tij, mund të pajtohem me idenë se ai nuk është më.

Të gjallët, pse përpiqen të vënë rregull?

Ne tentojmë të vendosim rregull në ekzistencën tonë, të sistemojmë dhe të organizojmë gjërat, pasi nëpërmjet këtyre veprimeve ndërtojmë një sistem i cili na dhuron ndjesinë e të qenit padron absolut i fatit personal dhe i realitetit që na rrethon. Realizojmë në vazhdimësi projekte për jetën, për ekspozita, të nxitur nga një dëshirë e pavetëdijshme për pavdekësi. Kjo që më ka ndodhur në vitet e fundit është diçka ndryshe. Nuk është thjesht një riorganizim i hapësirës që më rrethon, por një vëzhgim i thellë i elementëve që e ndërtojnë. Në pamje të parë duket e pakuptimtë të ndalem në objektet dhe imazhet familjare që shoqërojnë në mënyrë të padukshme ekzistencën time. Edhe rrahjet e zemrës, edhe frymëmarrja janë pjesë e jetës së përditshme dhe megjithatë nuk u kushtojmë qoftë edhe për pak kohë vëmendjen tonë. Doja gjithashtu të shtoja se duke vëzhguar punimet e kësaj ekspozite ndërgjegjësohem për faktin se nuk kam shtuar disa elemente karakterizues të miat si kafka dhe kryqet. Kjo ekspozitë është më pak dramatike se zakonisht, megjithatë sensacioni i rënies së ekzistencës perceptohet në çdo punim të vetëm me një forcë të madhe. Kafkat sot janë në modë, i përdorin stilistët dhe reklamuesitnuk trembin më askënd. Në këtë kuptim kafka e Damien Hirst-it është simbolike, një kritikë e ashpër dhe njëkohësisht cinike që i drejtohet shoqërisë tranzitore.

Çfarë teknikash përdorni në punët tuaja?

Në pikturat e mia unë përdor të gjitha teknikat e mundura. Përdor në mënyrë të pavarur vajin, bojën dhe akrilikun. Ndonjëherë i përziej të gjitha bashkë në të njëjtën pikturë.

Një punë e imja mund të zgjasë një ditë të tërë ashtu si edhe një muaj, është e vështirë ta përcaktosh. Disa nga pikturat e mia braktisen për tu ripunuar ndoshta pas shumë vitesh.

Po për origjinën shqiptare nga gjyshërit e nënës çmund të na thoni?

Për sa i përket origjinës shqiptare të gjyshërve të mi nga ana e mamasë nuk di tju them shumë. Kujtoj që gjyshërit e mi flisnin shqip me njëri-tjetrin dhe që kishin origjinë arbëreshe. Mund të shtoj gjithashtu që rrënja e familjes së mamasë sime ka kaluar nga një ndjeshmëri e lartë deri në brishtësi.

Si ndiheni për këtë?

Ashtu siç u shpreha më sipër kam një perceptim të identitetit tim personal disi kompleks. Dyshoj në gjithçka dhe duke dyshuar kam përfunduar duke marrë unë vetë identitetin e dyshimit që do të doja të zgjidhja përfundimisht. I njëjti emocion, e njëjta ide mund të shprehen në mënyra të ndryshme dhe të jenë njësoj efikase. Duke qenë se dyshoj në çdo gjë, kërkoj të analizoj të njëjtin problem nga këndvështrime të ndryshme: piktura, video, vizatim, skulptura dhe fotografia. Instilacioni artistik është krijuar si pasojë e afrimitetit të gjuhëve të ndryshme në të njëjtën hapësirë.

Çfarë afrimiteti gjeni më Vlorën, duke pasur parasysh se s’është e hera e parë që vini me një ekspozitë në këtë qytet?

Lidhja ime me qytetin e Vlorës ndikohet më së tepërmi nga miqësia ime pesëmbëdhjetë vjeçare me Artan Shabanin dhe me faktin që galeria e tij ndodhet atje. Mund të them që kam njohur njerëz mikpritës, kam takuar artistë dhe persona me inteligjencë dhe kulturë të madhe. Sepse në Itali mjetet e informacionit kanë krijuar një imazh të Shqipërisë dhe të banorëve të saj që nuk përputhet minimalisht me realitetin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›