Kavajë, 10 shtëpi të tjera rrezikojnë fundosjen
RRËSHQITJA/ Pas shembjes së shtatë shtëpive, dy të tjerave u kanë dalë themelet e pritet nga çasti në çast të "zhyten"
KAVAJË - E diela e 22 marsit, një ditë pas katastrofës që ka ndodhur në qendër të fshatit Bago, duket si një ditë kur puthja e vdekjes që vetëm sa e ka fshikur faqen e zonës, rëndon kërcënueshëm përsëri mbi fatin e banorëve.
Edhe një ditë më pas, çarjet kanë vazhduar ngadalë, por me ashpërsi, ndërsa e prekshme ajo bëhet teksa sheh krisjen e saponisur tek muret e një shtëpie të braktisur, e cila, sipas një banoreje, i përkiste kunatit të saj, Fiqiret Shehi. Ishte shtëpi e re.
Edhe më sipër, në krahun tjetër të një krateri të hapur duken rrënojat e banesave të zhytura në thellësi, ndërsa sipër tyre janë shtëpitë e tjera të kushërinjve Gjeci, të cilave u kanë dalë themelet.
Këtu kushdo mund të përjetojë forcën folklorike të një mallkimi: "T'u shkulshin themelet!" Dhe kushdo e ndien si një përshkim elektrik këtë dhimbje që u ka mpakur gjymtyrët kur ngarkojnë kamionët apo rimorkiot e zetorëve me ato orendi që u kanë mbetur.
Në qendër janë mbledhur shumë njerëz. Vargu i makinave s'resht. Makinat e policisë dhe rrethimi i vendit të rrezikuar me shirita të kujtojnë një skenë krimi.
Atje ku Limanja na tregoi për kodrat që kanë lëvizur, ka ndodhur edhe një fenomen gjeofizik. Një lëndine e mbjellë është rrudhosur dhe ka krijuar një kodrinë me një majë plot të çara.
Ajo që të bën përshtypje është se një grup i vogël fëmijësh kuriozë po eksplorojnë të çarat dhe luajnë mes tyre. Një lojë kjo mjaft e rrezikshme po të kihet parasysh stuktura e brishtë e dherave. Më tej shihen mjetet që ikin vargan dhe ndihmat që shpërndan Kryqi i Kuq nga Tirana.
Shpërndarësit thonë se ndihma e së dielës ka një vlerë prej 100 000 lekësh të reja. Shifrat flasin se ata kanë sjellë për 7 familjet që u janë shembur shtëpitë rreth 280 kg miell, si dhe nga 35 kg sheqer, fasule e oriz për çdo lloj, 35 batanije, 14 krevate emergjence me dyshekë shoqëruar me çarçafë dhe pajisje për 7 kuzhina.
Veç shtatë shtëpive të shkatërruara totalisht dy ditë më parë, të pabanueshme janë deklaruar edhe shtëpi të tjera.
Sipas ekspertëve, pas shembjes së plotë të tyre gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, rrëshqitja e tokës rrezikon edhe tetë banesa në këtë zonë, ndërsa dy shtëpi të tjera pritet të shemben nga çasti në çast.
Gjithashtu, në më shumë se 20 shtëpi janë konstatuar çarje të mureve të dhomave, kurse në disa të tjera vetëm krisje. Zona ku dhe ka ndodhur rrëshqitja e tokës është evakuuar, ndërsa numri i banorëve të evakuuar arrin në 170.
Eksperti i gjeofizikës, inxhinieri Sami Nenaj, thotë se situata në zonën e sipërme të kraterit nuk do të ketë përkeqësim.
Edhe pse ende nuk është bërë analiza me grup, e cila i përket fazës së fundit të studimit 5-ditor, ai pohon se kjo zonë nuk do të ketë më rrëshqitje, ndërsa për zonat e tjera do të flitet më vonë.
Komisioni i vlerësimit të dëmit deri në këto momente ka përfunduar vetëm vlerësimin teknik, ndërsa pritet të dalin dhe rezultatet e dëmeve materiale të shkatuara si pasojë e rrëshqitjes së tokës, ku fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, sepse banorët arritën të dalin jashtë sapo ndjenë krisjen e mureve. Deputeti i zonës, Engjëll Cara, thotë se emergjenca tashmë ka kaluar.
Janë bërë përllogaritjet e përgjithshme të dëmeve që janë shkaktuar dhe vlera e tyre duke llogaritur tokat e dëmtuara strehimin e pasurive të shkatërruara, si dhe me shtëpitë që do të largohen nga rreziku përfshijnë rreth 3 - 4 milionë euro.
Banorët: Toka u shkul e u bashkuan kodrat
"U shkul toka, - thotë Limane Hallulli, - po shyqyr që shpëtuan njerëzit. Janë bashkuar 2 kodrat dhe duke lëvizur ato janë mbyllur 5 puse që ndodheshin atje".
Ajo tregon me dorë kodrat që kanë lëvizur, vendi ku puset nuk ndodhen më dhe i vetmi pus shterpë tashmë është krateri, si buzë e tharë vdekjeje, afshin e së cilës e ndjenë banorët në ikje e sipër në ato orë të vona nate e që për këtë i janë mirënjohës fatit.
Azem Gjeci, një prej personave që ka humbur 2 shtëpi së bashku me të tjerë të fisit të vet thotë se janë strehuar tek të afërmit që i kanë vënë në vështirësi, pasi janë shumë vetë dhe banesat e tyre janë të ngushta për të jetuar aq shumë njerëz në kushte mbingarkese. Një banor tjetër thekson se iu mungon ndihma e duhur ekonomike.
Ata shprehen se nuk kanë më asnjë pasuri, e cila u është varrosur në mes të dherave të gropes së hapur në qendër të lagjes së tyre. Ndërsa kryetari i komunës së Syneit, Përparim Caca, thotë se do t'u afrohet çdo ndihmë e nevojshme dhe se do të strehohen në shtëpi me qira ose konvikte