E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdorues droge grabisin lokalin e basteve

Tre persona hynë në ambientet e një pike të basteve sportive, ku grabitën 4 500 lekë


TIRANË - Një lokal bastesh sportive ka rënë pre e një grabitjeje dy net më parë në Tiranë, ndërsa autorët kanë marrë nga banaku i lokalit 4 500 lekë. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 të së shtunës pranë shkollës "Ramazan Jarani" në lagjen "Allias" në kryeqytet.

Tre vetë të maskuar kanë grabitur një lokal loto-sport në pronësi të Agron Abazit. Autorët mësohet se kanë hyrë me shpejtësi në ambientet e lokalit të basteve sportive që ndodhet në katin e parë të një pallati, dhe janë sulur në banak duke marrë paratë që ndodheshin atje.

Më pas, janë larguar duke humbur gjurmët nëpër rrugicat e pallateve. Pronari i lokalit ka lajmëruar policinë, e cila pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, mori në pyetje dëshmitarët. Burime nga blutë shprehen se pronari i loto-sportit deklaroi se ishin tre persona të maskuar, por jo të armatosur që kryen vjedhjen.

"Në bazë të deklarimeve të marra rezulton se autorët kanë qenë adoleshentë dhe dyshohet se janë përdorues droge", thanë për "Shekulli"-n burimet policore. Ndërkohë, forca të shumta të policisë kanë patrulluar përgjatë orëve të natës në lagjen Allias duke shoqëruar disa të dyshuar si autorë të vjedhjes.

Të njëjtat burime shtuan se autorët kanë gjetur vetëm 45 mijë lekë të vjetra dhe nuk kanë insistuar për të marrë më shumë, gjë e cila hedh dyshime se ata kanë qenë përdorues droge, ndërsa veprimet e tyre kanë qenë shumë të shpejta duke bërë që edhe pa armë të kryejnë vjedhjen, megjithëse në lokal kishte persona të tjerë.

Ndërkohë, pronari i lokalit të vjedhur, Agron Abazi, nuk ka pranuar të flasë për grabitjen. "Nuk mund të them asgjë. I kam deklaruar të gjitha në polici pas ngjarjes,"- u shpreh ai.

Burimet policore thanë se po mbahen në vëzhgim disa adoleshentë, banorë të lagjes "Allias", të cilët dyshohet se janë përdorues droge dhe se mund të kenë qenë të përfshirë në këtë grabitje. K.Kotorri

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›