E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lobon pa strategji

Behgjet Pacolli thotë se ende nuk e ka parë strategjinë për njohje të Ministrisë së Jashtme. Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi pohon se Pacolli ka kontribuar personalisht në këtë dokument që ende nuk është finalizuar. Gashi mohon që dy shefat e tij të jenë përfshirë në rivalitet. Nga Shpend Limoni më 26 maj 2011 në ora 08:41

Me kompetencat që i ka marrë në punët e jashtme, Behgjet Pacolli duket se po ndihet komod nëpër udhëtime. Aktualisht ai ndodhet në Afrikë, ku sipas bashkëpunëtorëve të tij, ka takuar dhjetëra burrështetas afrikanë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar disa herë se dikasteri që ai drejton është duke hartuar një strategji me të cilën kosovarët do t’i kërkojnë njohjet.

Por Pacolli, i cili në procesin e lobimit ka pothuaj një rol qendror, duket se nuk është shumë i interesuar për një dokument të tillë.

“Sinqerisht nuk e kam parë atë strategji ende. Nuk kam ndi për atë strategji ende”, ka thënë Pacolli për Radio Dukagjinin, të mërkurën.

Që prej se ka marrë postin e Zëvendëskryeministrit të parë, Pacolli disa herë ka lënë përshtypjen se ai dëshiron që të jetë “bosi” i lotimit, pa përtuar që të shpërfillë disa aktivitete të Ministrit Hoxhaj.

Sido që të jetë, Zëvendësminitri i Jashtëm, Ibrahim Gashi i cili në këtë post është emëruar të martën, ka mohuar se ka rivalitet mes Hoxhajt dhe Pacollit.

“Absolutisht jo. Jam njeri që komunikojë me të dy dhe pozicioni ma mundëson këtë dhe nuk kam vërejtur absolutisht ndonjë përplasje të kompetencave apo aktiviteteve, përkundrazi ka vetëm komplementim dhe gatishmëri për të bashkëpunuar”, ka thënë ai të mërkurën për Express.

Gashi ka thënë se edhe Hoxhaj dhe Pacolli janë koordinuar edhe rreth vizitës së këtij të fundit në Afrikë.

Sa i përket strategjisë, Gashi jep një version ndryshe nga ai i Pacollit.
Ai shpjegon se vetë Pacolli ka dhënë kontributin e tij në këtë dokument, pavarësisht deklarimeve se nuk e ka parë atë.

“Ne e kemi pasur një draft pune, në të cilin ka kontribuar edhe z. Pacolli dhe natyrisht edhe unë si i afërt i tij duke i ditur planet e tij që i ka në angazhimet e tij për lobim në regjione të caktuara të botës, edhe tash atë strategji do ta kemi të finalizuar bashkë me këto aktivitete të z.Pacolli dhe natyrisht ajo do të negociohet mes Zëvendëskryeministrit Pacolli, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Ministres së Integrimeve”, ka sqaruar Gashi.

Zëvendësministri i Jashtëm ka shpjeguar se fakti që Pacolli dhe Hoxhaj nuk po koordinohen për finalizimin e strategjisë është pamundësia për t’u takuar.
“Ju e dini se z. Pacolli një kohë ka qenë jashtë dhe pastaj z. Hoxhaj ka qenë në aktivitete e tij në New York dhe është çështje e pamundësisë fizike për të përfunduar strategjinë bashkë me elementet që i ka z. Pacolli si objektiv të angazhimeve të tij në lobim”.

Marrëveshja mes Kryeministrit Thaçi dhe Behgjet Pacollit ka paraparë edhe krijimin e një taskë force për lobim, në krye të së cilës parashihet të jetë vetë Pacolli.

Gashi thotë se ky është një aktivitet më kompleks, në të cilin po punohet për ta finalizuar.

“Z. Pacolli e ka hedhur pjesën më të madhe të përshkrimit të angazhimeve që ai i merr dhe stafi i tij dhe pastaj ka përcaktuar edhe aktorët e tjerë që do të bashkërendojnë aktivitete me besoj se do ta kemi së shpejti. Z. Pacolli veç i ka qitur në letër gjërat më kryesore të objektivave që ka kjo taskë force”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›