Valë refugjatësh nga konflikti në Kongo

Shtëpitë janë bërë prej kashte dhe disa tenda janë lidhur njëra me tjetrën - asgjë e qëndrueshme që do të mbronte njerëzit nga shiu, i cili aktualisht bie në Goma pothuajse çdo natë. Kampi Muganga, i cili ndodhet në periferi të kryeqytetit të provincës është një nga pikat ku mblidhen refugjatët.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara në javët e fundit nga shtëpitë e tyre janë larguar rreth 100.000 njerëz. Furnizimi i tyre me ushqime është shumë i vështirë për shkak se transporti pjesërisht është i rrezikshëm. Megjithatë në periferitë e Gomas tani filloi shpërndarja e ushqimeve, tha kreu i Programit Botëror të Ushqimit, Wolfram Herfurth. "Sot ne do të ndihmojmë rreth 80 mijë njerëz me racione të vogla. Ata do të marrin nga ne nga një racion treditor me nga katër produkte”, tha ai.
Miell misri, vaj, kripë dhe disa kokrra fasule - një pako shumë modeste. "Përse vetëm kjo sasi e vogël? Nuk është në pyetje bujaria. Kjo është thjesht një masë mbrojtëse”, tha Herfurth.