E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njësitet speciale të ARM-së, pa shqiptarë

Shkup, 16 gusht - Njësitet speciale të ARM-së, “Ujqërit” dhe “Renxherët” pa përfaqësues shqiptarë. Në njësitin e parë nuk ka asnjë shqiptarë derisa te “Renxherët”, përfaqësimi është simbolikë, vetëm me 2.6 për qind. Por, faji për këtë gjendje, sipas zv/ shefit të shtatmadhorisë së ARM-së, Naser Sejdini, qëndron në standardet dhe stërvitjet e rënda që duhet t’i kalojnë  kandidatët e interesuar. Sipas tij, kursi selektiv është bazë për tu integruar në njësitet speciale, raporton Alsat-m.
“Të drejtën t’ju them edhe unë si zëvendës i kryeshefit të shtatmadhorisë të ARM-së nuk jam i kënaqur me  përfaqësimin e shqiptarëve në njësitet speciale, ku në përgjithësi përfaqësimi i shqiptarëve është 2.6 për qind, do të thotë është numër shumë i vogël.  Shkaku kryesor janë standardet e larta, të cilat kërkohen për njësitet speciale. Ja për shembull, në kursin e fundit selektiv, i cili zgjat 23 ditë, u paraqitën 100 kandidatë  prej armatës, edhe ushtarë edhe oficerë edhe nënoficer, prej tyre 16 ishin shqiptarë, dhe  asnjëri nuk mbaroi kursin. Do të thotë në përgjithësi, prej 100 personave vetëm 14 vetë e mbaruan kursin për njësinë speciale. Shkaku kryesor është ky ”, tha  Naser Sejdini, zv/ kryeshef i shtatmadhorisë së ARM-së.
Sejdini thotë se për këtë çështje ka diskutuar edhe me ministrin, megjithatë pranon se nuk është arritur ndonjë rezultat në drejtim të zgjidhjes së problemit me përfaqësimin.
“Kemi marë shumë masa, kemi afirmuar njësit speciale, kemi informuar njerëzit të cilët janë të interesuar për tu inkuadrua në njësitet speciale, mirëpo tani për tani sukses në atë drejtim nuk kemi”, u shpreh ai. Sejdini i bëri thirrje gjithë  atyre që janë të interesuar të përfshihen në njësitet speciale të ARM-së, paraprakisht të bëjnë përgatitjet e duhura psiko-fizike. Gjatë këtij viti nuk do të ketë konkurs për tu pranuar në këto njësite, konkursi i radhës pritet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›