Ban Ki Mun thekson mbështetjen për Pakistanin
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon viziton Pakistanin në një kohë kur pasojat e përmbytjeve vazhdojnë të rriten nga momenti në moment. Zyrtari më i lartë i Kombeve të Bashkuara tha përpara takimit me presidentin Zardari dhe kryeministrin Gilani se ishte në Pakistan për të ndarë simpatinë dhe solidaritetin e OKB-së me njerëzit dhe qeverinë e Pakistanit dhe për të parë se çfarë duhej bërë më shumë. Ai u shpreh se e gjithë bota ishte përkrah Pakistanit në këtë kohë të vështirë. Kreu i OKB-së, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të shpejtojë ndihmën për personat e prekur nga përmbytjet. Pasi u takua me presidentin pakistanez dhe kryeministrin e vendit zoti Ban shkoi për të parë nga afër zonat e goditura më rëndë nga përmbytjet. Qytetet pranë lumit Indus në jug të Pakistani janë zonat më të kërcënuara nga përmbytjet. Mundësia e shpërthimit të epidemive shihet si një kërcënim edhe më serioz pas konfirmimit nga OKB-ja të rastit të parë me kolerë. Autoritetet në Pakistan thonë se 20 milion njerëz janë prekur nga përmbytjet e mëdha, të cilat kanë shkaktuar vdekje dhe shkatërrim. Organizata e Kombeve të Bashkuara ditë më parë raportoi se përmbytjet e këtij viti në Pakistan ishin më të tmerrshmet e këtyre 80 viteve të fundit. Sipas OKB-së rreth 14 milion njerëz ishin prekur prej tyre, numri i të vdekurve ishte të paktën 1600.