Njoftimet e ministrisë për ngjarjen në Afganistan, të mbushura me të dhëna kontradiktore

Motra e kapitenit Feti Vogli duke dalë e përlotur nga shtëpia
Ened Janina
Deklaratat e para të Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me ngjarjen në Afganistan kanë qenë të mbushura me shumë pasaktësi dhe gabime aq sa shpallën fillimisht nëntetarin Aleksandër Peçi si të vdekur dhe më pas, kur familja kishte hapur dyert e mortit, thanë se është gjallë. Ndërsa në lidhje me autorët e vrasjes së Feti Voglit, ministria tha se ishin 11 shtetas afganë të maskuar si policë ndërsa sot deklaron se ishte vetëm një polic afgan.
Këto shkaktuan amulli në të gjithë Shqipërinë dhe treguan një nivel të ulët profesional nga ana e Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Pas lajmeve tronditëse për fatin e nëntetar Aleksandër Peçi, lajme të cilat u morën në rrugë zyrtare nga autoritetet komanduese të ISAF dhe iu përcollën menjëherë publikut, njoftimet e mbrëmjes së djeshme që konfirmonin se nëntetar Peçi ishte në jetë kanë lehtësuar gjendjen emocionale të familjarëve të tij, ashtu sikundër janë pritur me gëzim të madh nga Forcat e Armatosura dhe nga gjithë shqiptarët,- thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes që korrigjon gabimin e bërë. Duke u justifikuar për këtë fakt, ministria thotë në orën 20:49 sipas orës lokale, ose orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë, autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar humbjen e jetës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në spital për ushtarakun e dytë shqiptar. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës 18:30 të datës 20.02.2012, pasi ishin njoftuar më parë familjet e ushtarakëve. Por pothuajse dy orë më pas vetë ministria dha lajmin që Peçi ishte gjallë
Pasaktësitë e ministrisë
U deklarua se u vranë dy ushtarakët shqiptarë, Feti Vogli dhe Aleksandër Peçi dhe një ushtar amerikan
Dje u deklarua se është vrarë vetëm një ushtarak shqiptar, Feti Vogli ndërsa Peçi është plagosur dhe gjendet jashtë rrezikut
U tha se vrasësit ishin 11 talebanë të maskuar si policë afganë
Dje u deklarua se ishte një vrasës i vetëm, i cili ishte polic afgan
U deklarua se ngjarja ka ndodhur në orën 15:05 më orën afgane
Sot u tha se ngjarja ka ndodhur në orën 16:30 sipas orës lokale të Kandaharit
Përfundon operacioni i Peçit, gjendja drejt përmirësimit
Gjendja shëndetësore e komandos shqiptare të plagosur në Afganistan është në përmirësim e sipër dhe së shpejti ai do të transportohet drejt bazës së NATO-së në Gjermani ku do të marrë trajtim mjekësor më të specializuar. Mjekët amerikanë po presin që shëndeti i 23 vjeçarit Aleksandër Peçi të stabilizohet aq sa të përballojë udhëtimin me avion. Gjendja shëndetësore e nëntetar Aleksandër Peçi, vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan. Autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllin masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë,- thanë burimet zyrtare të Ushtrisë.
Gjatë një komunikimi publik, paraditen e djeshme, zyrtarët e Mbrojtjes dhanë detaje të tjera për ngjarjen duke kërkuar edhe ndjesë për informacionet e pasakta të publikuara një ditë më parë. Zyrtarët e mbrojtjes shpjeguan se nuk bëhej fjalë për 11 talebanë vrasës, por për një polic afgan i cili kishte tradhtuar dhe ishte bashkuar me talebanët. Sipas tyre, sulmi nuk është kryer në orën 15:05 dhe se vrasësi ishte një efektiv i policisë afgane dhe jo 11 terroristë, siç u deklarua një ditë më parë.
Më datën 20.02.2012 në orën 16.30 sipas orës lokale të Kandaharit, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin Shadizi Robat në afërsi të Bazës Ushtarake në Spin Boldak, Grupi i Parë special i Kontingjentit EAGLE 4, që vepron në kuadër të operacionit ISAF, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane. Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të Policisë afgane të përfshirë në ngjarje,- thanë burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar një helikopter, i cili ka bërë evakuimin e tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti Vogli nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit. Në orën 20:49 sipas orës lokale, ose orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë, autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar humbjen e jetës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në spital për ushtarakun e dytë shqiptar. Në orën 22:34 sipas orës lokale, ose orës 19:04 sipas orës së Shqipërisë, autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar se nëntetar Aleksandër Peçi kishte përballuar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale dhe ishte në jetë,- ka shpjeguar zyrtarisht Ministria e Mbrojtjes lajmin e gabuar të shpërndarë prej saj për vdekjen e Aleksandër Peçit.
Ngushëllime për familjet e dy ushtarakëve Vogli dhe Peçi
Ngjarja tragjike ku humbi jetën komandoja shqiptare Feti Vogli ka sjellë edhe një sërë reagimesh nga politika shqiptare. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vendosi dje dekorimin me Medaljen e Artë të Shqiponjës Kapiten Voglin, i cili ranë krye të detyrës si dhe Nëntetar Pecin që gjendet në gjendje të rëndë për jetën.
***
Po dje kryetari i shtetit, i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi shprehu ngushëllime në familjen Vogli për humbjen e jetës së djalit të tyre të rënë në krye të detyrës. Padyshim, ishte një kurth që iu bë Forcave, por në një mision shumë të moralshëm, së bashku me forcat amerikane, qoftë Kapiten Vogli, ose Nëntetar Peci, demonstruan që ishin në një mision, të cilin ne e kemi vlerësuar në kuadër të Aleancës më të madhe të Paqes e të Sigurisë, mision të cilin do ta vazhdojmë për të qenë kurdoherë së bashku me aleatët, u shpreh presidenti.
***
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Leon Paneta i shprehu dje ngushëllimet e tij shtetit shqiptar dhe familjes së ushtarakut të vdekur. Marrim pjesë në dhimbje dhe lutemi së bashku me familjen e kapiten Feti Voglit. Gatishmëria e trupave tuaja për të luftuar deri në sakrificën e fundit është për tu vlerësuar thellë, tha sekretari Paneta, ndërsa shtoi se SHBA dhe populli amerikan vlerëson shumë mbështetjen e pandërprerë të qeverisë dhe popullit shqiptar.
***
Kryeministri Berisha zhvilloi dje në mesditë, një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e familjes së Kapiten Feti Vogli, efektiv i forcave të kontingjentit Eagle 4 në Afganistan, i cili ra në krye të detyrës, në Kandahar. Erdha për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim, të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare, për të ndarë dhimbjen e pikëllimin me familjen e Kapiten Feti Voglit, që ra për tu bërë i pavdekshëm, në një mision fisnik paqeje, në Kandahar, Afganistan. Cilido që e ka njohur, ka njohur tek biri i kësaj familje, tek Kapiten Feti Vogli virtytet më të arrira të një njeriu të mrekullueshëm, të një ushtaraku të përgjegjshëm, një bashkëshorti dhe djali shembullor, tha Berisha.
***
Në ngushëllimet për humbjen e jetës në Kandahar të Komandantit Feti Vogli u bashkua dhe opozita, e cila i shprehu ngushëllime familjes së ushtarakut. Duke vle