E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Tiranë sperma blihet 50 euro!

Magdalena Alla / Valeria Dedaj

Nuk ka vetëm dhurues e blerës gjaku. Sot ka edhe dhënës sperme dhe vezësh me dhe pa pagesë. Madje, në qarqet mjekësore tek-tuk tanimë po qarkullon si anekdodë sakrifica e njërit duke dhënë gjak me pagesë dhe lehtësia e tjetrit që prodhon, fal apo edhe shet spermë falë një mundimi të ëmbël dhe pa efekte anësore.. Por jo dokushdo. Duhet të ketë spermë cilësore ama. Klinika apo spitale private në Tiranë, të licencuara këto vitet e fundit për fekondime in vitro, po kërkojnë gjithmonë e më shumë edhe dhurues apo blerës sperme e vezësh. Në rastet kur këto jepen nga pjesëtarë brenda familjes, si vëllai ose motra e partnerit, që ka probleme fertiliteti, pasi morali apo kanuni nuk iu lejon që të kryhen të tilla gjera me dikë që nuk është partneri i ligjshëm, atëherë nuk ka pagesa. Dhe shumica e pacientëve që ne kemi pasur deri kanë qenë me dhurues brenda familjes, shpjegon gjinekologu turk i Spitalit Amerikan, Cihan Kabukcu.

Por në raste të tjera, vlen shprehja se asgjë nuk shkon dëm, nëse di ta përdorësh atë. Edhe sperma riprodhuese, që përftohet dhedel pa limit dhe pa asnjë dëm prej trupit të shëndetshëm mashkullor, edhe vezët e tepërta që mund të ketë një mitër femërore, por të cilat i mungojnë një tjetre, mund të shiten dhe me to të sigurohen ca pará. Dhënës anonimë, nevojtarë që Zoti i ka bekuar në shëndet, por jo aq në mirëqenie materiale, drejtohen në dyert e klinikave të shesin pjesë nga trupi i tyre e të sigurojnë ca të ardhura ekstra për të mbijetuar. Unë di raste shqiptarësh të shëndetshëm, të cilëve iu bëhen analizat dhe pranohen si dhënës sperme apo vezësh këtu në vend, thonë klientë anonimë në ndonjë klinikë gjinekologjike.

Në rritje fertiliteti dhe fekondimi

Aplikohet që nga viti 2003, kohë kur hyri në fuqi ligji Për shëndetin riprodhues, i cili la hapësirë për pasjen e një fëmije edhe për ato çifte, të cilët prej shkaqeve objektive apo subjektive, nuk mund ta kishin në rrugë natyrale. Sidomos këto dy vitet e fundit, në disa prej klinikave apo spitaleve tona private, nisi edhe fekondimi artificial apo ai in vitro. Gjë që nuk bëhet ende në spitalet publike. Nuk u pa e udhës kjo tek ne për shkak të kushteve jo të përshtatshme, shpjegon Dritan Shpati, obstetër-gjinekolog në martenitetin publik Mbretëresha Geraldinë në Tiranë, kur në fakt pikërisht në spitalet publike ofrohen të paktën ekzaminimet optimale, por jo fekondime.
Pavarësisht se nuk ka statistika të mirëfillta, në klinika private dëshmojnë, çuditërisht konfidencialisht dhe jo hapur, se vihet re një shtim i rasteve të fertilitetit dhe për rrjedhojë dhe fekondimit artificial. Nga 10% të çifteve, vënë re një tendencë rritjeje në 15-20%. Përqindjen më të lartë e zënë meshkujt.

Por në krahasim me vende të tjera? Pak a shumë jemi vend me dukuri infertiliteti si gjithë të tjerët në këtë pikë, shpjegon obstetër-gjinekologu Kosta Dhima. Infertiliteti është një problem që është përhapur shumë në të gjithë botën kjo edhe si pasojë e kushteve të jetesës, ushqimeve gjithmonë e më pak bio, rritjes së moshës mesatare të martesës etj.

Por problemet e infertilitetit mund të zgjidhen edhe pa ndihmën e teknikave të riprodhimit të asistuar, pra të fertilizimit in -vitro. Në disa raste mjafton mbase një mjekim i caktuar dhe gjithçka shkon mirë. Pra duhet një edukatë kontrolli i këtyre problemeve dhe pikërisht kontroll në qendra vërtet të specializuara ëer këto probleme, shpjegon gjinekologu turk i Spitalit Amerikan, Cihan Kabukcu.
Vetë mjekët shprehen se lipset edhe ndërgjegje e lartë nga klinikat dhe spitalet private që kryejnë këto fekondime. Por po ata vetë thonë se nëse do të ofrojnë spermë të pakontrolluar dhe jocilësore, kjo minon punën e tyre, sjell shtatzani me probleme dhe asnjë nuk ka interes për këtë situatë. Por ka raste kur pacientët mbeten me dyshime në të tjera aspekte, se vezët e marra me bollëk ishin vërtet për të mirën e riprodhimit apo për tu ngrirë, përdorur e shitur dikujt tjetër.

Si bëhet fekondimi

Së pari, duhet të jesh i informuar mirë për çfarë do bësh. Duhet ti nënshtrohesh një sërë analizave përkatëse, që sigurojnë se donatorët janë të shëndetshëm. Kjo lidhet edhe me planifikimin familjar. Nëse kemi trupa të shëndetshëm, çdo shtatzani ka gjasa të jetë e shëndetshme, pasi edhe një infeksion që mund të ketë një nga partnerët ndikon në pasjen e një  fëmije me probleme. Kjo vlen si për fekondimin natyral, edhe atë artificial, shpjegon doktor Kosta Dhimo.

Donatorët gjithashtu duhet të kenë disa karaktersitika të përbashkëta me personin që do ta blejë këtë substancë, por këtë e përzgjedh vetë i interesuari.
Ekzaminimet e mësipërme zbatohen në mënyra të ndryshme tek pacientët. Kjo varet nga faktorë të ndryshëm si pesha, gjatësia, ngjyra e individit ose probleme të tjera që shfaqen gjatë ekzaminimit. Prandaj, analizat kryhen nga mjeku në mënyrë të detajuar, duke ia shpjeguar pacientit të gjitha procedurat. Pasi më parë është tentuar fort për të pasur një barrë natyrale. Por ka raste që vite të tëra trajtime nuk japin rezultat dhe shkohet tek fekondimi in vitro.

Mjekët shpjegojnë se një nga analizat që bëhet për përcaktimin e aftësisë fekonduese që ka një mashkull është spermograma. Në rastet e mungesës së spermatozoideve nga sperma, ajo merret nga teknika kirurgjike dhe nxirret nga teste ose scrotum, si për shembull me anë të Tese (biopsi testesh). Në raste të tjera, çiftet mund të zgjedhin të përdorin spermatozidet e donatorëve. Transferimi bëhet në përgjithësi në ditën e tretë, kur embrionet janë zhvilluar normalisht në fazën me gjashtë osë tetë qeliza. Në disa raste, në varësi të cilësisë se embrionit, ato lejohen  për tu zhvilluar deri në ditën e pestë, deri në fazën e Blastocyst, kur përmbajnë më shumë se njëqind qeliza.
Përkatësisht, fertilizimi in vitro i një embrioni me vezë të dhuruara dhe fertilizimi in vitro i një embrioni me spermë të dhuruar bën që njëri nga prindërit në këtë rast nuk do të jetë natyrali, e kjo është paksa e vështirë kryesisht për prindin mashkull. Pasi tek femra, veza që krijoi embrionin e sapoimplantuar nuk është e saj, por i duhen plot nëntë muaj shtatzani në momentin që ajo e rrit dhe e mban krijesën në trupin e saj që nëna të ndihet tërësisht e tillë.

Por dhe nëse mbas këtyre trajtimeve shtatzënia është e pamundur, duhet filluar trajtimi fertilizim in vitro-bebe provëz. Kështu fertilizimi ndodh në kushte laboratorike jashtë trupit, i vezës dhe spermës. Fertilizimi bëhet me dy mënyra; e para është metoda klasike e bebes tub (Ivf), ku sperma dhe veza bashkohen vetë. Metoda e dytë është Icsi, ku sperma injektohet brenda vezës me anë të një mjeti mikroskopik dhe më vonë në të dyja procedurat, embrioni vendoset brenda mitrës me anën e një kateteri. Gjithsesi, rreziku për abuzim ngelet përherë shqetësues, pasi shkohet për një fekondim dhe nuk dihet asgjë rreth donatorit.

Vezët, më të vështirat

Fekondimi me vezë të dhuruara u rekomandohet atyre femrave që vuajnë nga një prej sëmundjeve si: mungesa e vezoreve, dështimi i parakohshëm ovarial, sëmundje inflamatore të pelvikut dhe sëmundja e vezoreve.

Cikli me vezë të dhuruara është më kompleks se një ciklël i thjeshtë Ivf. Ky kërkon sinkronizimim  e dy  pacientëve, të donatores dhe të marrëses. Trupi i marrëses përgatitet paraprakisht me terapi adekuate për të bërë gati trupin e saj për të pranuar embrionet.

Vezet e donatores meren në laborator, sikurse edhe sperma  nga partneri mashkull i marrëses dhe përgatiten për injeksion intracitoplazmik (Icsi), procedurë e fekondimit kjo që  përdoret në mënyrë rutinë në laborator.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›