E Diel, 1 Nëntor 2026

Njohja e zgjedhjeve, nisin përçarjet në PS

Kryetari Edi Rama ka deklaruar deri më tani, se nuk do të njihte zgjedhjet dhe se nuk do të merrnin pjesë në parlamentin e ri. Por kjo ide, është kundërshtuar nga disa prej eksponentëve kryesorë të partisë, si Arben Malaj, Andis Harasani, Ben Blushi, etj.

Megjithatë, gjithçka pritet të vendoset pas përmbylljes së procesit të ankimimit të zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor. Forumet dhe kryesia e partisë do të diskutojë për hapat e mëtejshëm dhe qëndrimet që do të mbajë partia më e madhe në opozitë.

Kushtet e Partisë Socialiste, menjëherë pas zgjedhjeve ishin marrja e mandatit të nëntë në Fier, të pestin në Berat si dhe rinumërim votash në Tiranë dhe në Shkodër. Por nëse në Fier, kjo parti e mori deputetin e nëntë, në Berat përfundimisht  është vendosur që të marrë vetëm katër deputetë.

Kërkesa për një analizë u bë në mbledhjen e fundit nga Ben Blushi, i cili ka shfaqur publikisht kundërshtitë e tij, me idetë e kryetarit Rama sa i përket edhe hyrjes në Parlament, por edhe protestave. Gjithçka pritet të vendoset në ditët në vijim, kur edhe ndërkombëtarët të “këshillojnë” Ramën për t’u hedhur në protesta ose jo, që në fakt do të dëmtonin jo pak imazhin e vendit.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›