E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohjet, Hoxhaj thirrje vendeve myslimane

Ministri i Jashtëm i Kosovës iu ka bërë thirrje shteteve myslimane që ta njohin Kosovën. Në një intervistë për gazetën egjiptiane, En-Nour, Hoxhaj ka përsëritur kërkesën për njohje nga Egjipti, të cilin e ka quajtur shtet lider të botës arabe dhe islame.

Hoxhaj ka thënë se ky vend pas revolucionit është shtet i ri dhe duhet të ndjekë politika të reja karshi njohjes së Kosovës.  Ne vihemi në pozitë të vështirë kur pyetemi se pse shtetet arabe e islamike nuk ju njohin, veçanërisht kur një pjesë shumë e madhe e shteteve nga i gjithë globi deri tani kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo për të cilën ndjej keqardhje është fakti se shumica e shteteve islamike e arabe nuk e kanë njohur akoma shtetin e Kosovës me popullatë shumicë myslimane. Për këtë, isha në Kajro, si mik, për të kërkuar njohjen nga Egjipti, si lider i botës arabe e islame, veçanërisht për shkak të lidhjeve historike e kulturore midis dy vendeve tona. Të gjithë e dinë se Mehmet Ali Pasha, themelues i Egjiptit modern, ka qenë shqiptar dhe ndajmë identitetin, kulturën e qytetërimin e njëjtë. Ne ndajmë aspiratat e përbashkëta për liri, demokraci e prosperitet, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy popujve, ka thënë Hoxhaj.

I pyetur për revolucionin në Egjipt, ministri ka theksuar se populli i Kosovës ka simpatizuar dhe ka mbështetur Revolucionin egjiptian që nga momenti i parë dhe i dëshiron popullit egjiptian stabilitet, zhvillim dhe prosperitet.

Mendoj se Revolucioni ka qenë i pashmangshëm dhe ky revolucion ka qenë i rëndësishëm për gjithë botën arabe. Jam i bindur se Egjipti do të ketë të ardhme të ndritur pas Revolucionit dhe Kosova e mbështet Egjiptin e popullin e tij, i cili ka luftuar njësoj si populli im për liri, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për vizitën që i ka bërë Sheshit Tahrir, i cili sipas tij, është bërë simbol i lirisë, krenarisë, dinjitetit dhe prosperitetit, jo vetëm të Egjiptit, por për të gjitha shtetet arabe e islamike.

Gjatë vizitës në Sheshin Tahrir, kam ndjerë luftën e popullit egjiptian për liri, ashtu siç ka luftuar populli kosovar për 20 vjet për arritjen e pavarësisë e lirisë së tij, si dhe luftën paqësore për liri e sovranitet. Kjo luftë për liri ka frymëzuar popullin e Kosovës, ashtu siç ka frymëzuar gjithë botën për vendosmërinë dhe mënyrën paqësore e kulturore të protestimit për të realizuar të drejtat dhe liritë, ka theksuar Hoxhaj./ Gazeta EXPRESS

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›