E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njolla gjigande e naftës i afrohet brigjeve të Meksikës

Një njollë gjigante nafte që rezultoi pas shpërthimit në një platformë shpimesh në det rrezikon të prekë në fundjavë brigjet amerikane të Gjirit të Meksikës. Situata deklarojnë zyrtarët është më serioze nga sa ishte parashikuar më herët. Njolla e naftës ka filluar të lëvizë drejt bregut dhe tani ndodhet rreth 33 kilometra larg tij.

Një ndryshim në drejtimin e erës mund ta shtyjë atë drejt brigjeve të Luizianës, thonë meteorologët. Tani ekspertët pritet të përdorin metodën e djegies së kontrolluar të naftës për eliminimin qoftë edhe të pjesshëm të saj. Ky është incidenti më i rëndë i këtij lloji që prej një dekade në Shtetet e Bashkuara.

Njolla e naftës mund të dëmtojë rëndë ekuilibrin delikat ekologjik të zonës. Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan po ndërmarrin një hetim të hollësishëm. Njolla e naftës vjen nga një pus 1,525 metra nën sipërfaqen e oqeanit dhe ka një shtrirje prej 74 mijë kilometrash katrore, diçka më shumë se sa shteti i Virxhinias Perëndimore.

Platforma e firmës zvicerane Deepwater Horizon u zhyt më 22 prill, dy ditë pas shpërthimit dhe zjarrit që e përfshiu ndërsa ishte duke përfunduar shpimin e një pusi për kompaninë e naftës BP rreth 64 kilometra në juglindje të grykëderdhjes së lumit Misisipi.

Azhornuar së fundi ( e enjte , 29 prill 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›