Paketa financiare për Greqinë: 135 miliardë euro për 3 vjet
Kriza greke duket se do t’i kushtojë Europës shumë më tepër nga sa parashikohej. Të mërkurën, ministri i Ekonomisë, Rainer Bruderle, tha se një paketë shpëtimi financiar për Greqinë do të kushtonte jo 45 miliardë sa mendohej deri më tani, por 135 miliardë euro të shtrira në tre vite dhe për sa i përket Gjermanisë, pjesa që duhet të kontribuojë në këtë paketë do të jetë sigurisht shumë më e madhe. Sipas opozitës gjermane, Kancelarja Merkel është pjesërisht “fajtore” për një gjë të tillë. Paketa e ndihmës nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas njoftimit të bërë dje nga ministri gjerman i Ekonomisë, do të lëvrohet në një periudhë 3-vjeçare dhe për sa i përket Gjermanisë, që është shteti më i fuqishëm ekonomikisht i Bashkimit Europian, shuma do të jetë 8 miliardë në vit. Por sigurisht që kjo nuk është vendosur ende. Por ajo që është më e keqe në këtë situatë të rëndë, nuk është vetëm çështja e Greqisë, por përhapja e krizës së saj edhe më gjerë. Të paktën kështu ka paralajmëruar dje shefi i FMN-së, Dominique Sreauss-Kahn. Tregjet financiare botërore janë përfshirë të gjitha nga paniku i përkeqësimit të situatës. Shefi i FMN-së i bëri deklaratat e tij nga një konferencë për shtyp që dha në Berlin të Gjermanisë, pasi u përpoq që ta bindte Kancelaren gjermane dhe klasën politike gjermane që të vendosnin për mbështetjen financiare ndaj Greqisë. E ndërkohë, çështja e problemeve me vende të tjera të Europës është shfaqur dje edhe në Spanjë. Sipas ekspertëve, ky vend nuk po shënon rritje ekonomike, për shkak të krizës në fushën e pasurive imobiliare dhe atë të ndërtimeve. Në lidhje me këtë fakt që e përmendi edhe shefi i FMN-së, tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për ekonominë e Greqisë, por edhe për atë të vendeve të tjera të rajonit dhe më gjerë. “Ne na duhet që të rivendosim besimin dhe unë jam i bindur se problemi do të gjejë zgjidhje, por nëse nuk e ftillojmë këtë ndreqje me Greqinë, pasojat do të ndihen në shumë vende të Bashkimit Europian. Në Berlin, veç shefit të FMN-së ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Bankës Europiane, Trichet. Ndërkaq, Kancelarja gjermane, që në fakt ndodhet mes dy zjarreve, duke qenë se gjermanët nuk janë dakord që qeveria e tyre t’i japë Greqisë një shumë të tillë të hollash, tha se çështja e paketës financiare të shpëtimit duhet që të vazhdonte me shpejtësi. “është tashmë krejtësisht e qartë që negociatat me qeverinë greke, me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionin Europian duhet të përshpejtohen”, ka thënë Kancelarja pas takimit. “Ne shpresojmë që ato të arrijnë në një pikë konkludimi javën e ardhshme”. Por ndërkohë, shumë politikanë gjermanë janë kundër kësaj ndihme, dhe në këtë moment roli i Merkel bëhet shumë i vështirë. Duke qenë se situata vazhdon që të jetë e paqartë në lidhje me finalizimin e paketës financiare dhe të shumës se sa, edhe tregjet financiare po vazhdojnë që ta konsiderojnë Greqinë si një vend të pasigurt për të bërë investime dhe ky fakt i mban larg, të tërhequr dhe dyshues. Ndërkaq, janë shtuar dukshëm edhe shqetësimet në lidhje me ekonomitë spanjolle dhe portugeze. Për sa i përket FMN-së dhe Bankës Europiane, ato e kanë vënë dje Gjermaninë në një presion shumë të madh kohor për të aprovuar sa më shpejt paketën në fjalë. Shpejtësia, sipas dy zotërinjve që shkuan dje në Berlin, është parësore. Sipas tyre, sa më shumë kalon koha, aq më shumë shtohet rreziku për Greqinë dhe për të gjitha vendet që janë në Eurozonë. Ajo që do të bëjë tashmë Gjermania, është që të hënën të paraqesë një draft të ri në lidhje me këtë kredi të madhe, i cili do të diskutohet më parë në kabinetin qeveritar e më pas edhe në Parlament. Në varësi të këtyre diskutimeve do të procedohet.
#