E Martë, 3 Nëntor 2026

Nobeli në Letërsi. Fituesi, Jon Fose, me asnjë përkthim në gjuhën shqipe

Shkrimtari norvegjez, Jon Fose (o. Fosse) fitoi sot çmimin Nobel në Letërsi.

“Fose e fitoi çmimin për dramat dhe prozën e tij novatore, që u japin zë të pathënave,” njoftoi Akademia Suedeze.

I përshkruar nga kjo akademi “si një nga dramaturgët më të njohur dhe më të interpretuar të kohës sonë, ai është gjithashtu i vlerësuar për prozën e tij. Shkrimi i tij ekspozon humbjen e orientimit të njeriut.”

Shkrimtar, poet dhe dramaturg, Jon Fose u lind në Haugesund në vitin 1959.

Intelektual i shumanshëm, ai bëri debutimin e tij në vitin 1983 me romanin “Raudt, svart” (“E kuqe, e zezë”) dhe më pas eksperimentoi me narrativën e shkurtër, poezinë, letërsinë “jofiction” dhe atë për fëmijë.

“Duke pritur Nobelin” ishte takimi që u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Librit me të ftuar specialë ambasadorin e Suedisë dhe autorë e botues.

“Shikoj që nuk është botuar në shqip. Besoj tani fillon gara për botuesit, por sigurisht, nuk vihet në dyshim, që duhet të jetë një shkrimtar shumë i mirë,” u shpreh botuesja Arlinda Dudaj.

“Nuk është komentuar në diskursin publik botëror si një favorit i mundshëm i këtij çmimi, por është një autor tepër i rëndësishëm,” tha Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit.

Jon Fose është Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës të Republikës Franceze që nga viti 2007.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›