E Diel, 1 Nëntor 2026

Nobelisti turk Orhan Pamuk i ftuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Nobelisti i madh, romancieri turk Orhan Pamuk në vizitën e tij të parë në Shqipëri, ishte i ftuar sot në Kuvendin e Shqipërisë nga Kryetarja Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se ndihej e privilegjuar dhe e nderuar që Kuvendi i Shqipërisë bëhet mikpritës i një prej penave më të mëdha të letërsisë bashkëkohore, botërore.
Në një atmosferë elitare të artit, letërsisë, politikës dhe përfaqësuesve diplomatikë, në sallën e Kuvendit, nobelisti i letërsisë turke Orhan Pamuk u shpreh se ndihej krenar dhe i emocionuar që vepra e tij promovohet për herë të parë në botë, nga një Parlament dhe ky, është Parlamenti i Shqipërisë. Sipas nobelistit Orhan Pamuk, një promovim i tillë tregon se letërsia është diçka shumë e rëndësishme, edhe kur ajo nuk flet për politikën. Duke rrëfyer mbi ndjenjat, mendimet dhe emocionet e romanit të famshëm Stambolli, kujtimet dhe qyteti, shkrimtari Pamuk tha se, ajo çka përshkon romanin është ndjesia e trishtimit, e një meditimi dhe përsiatje të thellë, sikurse përshkruhen të gjitha romanet e tij. Në formën e autobiografisë romani i Pamuk kërkon të mbërrije tek lexuesi në çdo cep të botës, përmes dashurisë, pezmatimit që ai ndjen në shpirtin e tij për botën e pafundme të ndërthurjes së kulturave, traditës dhe njerëzve të Stambollit.
Duke folur për veten time, fëmijërinë, familjen, gjyshërit e mi, unë kam folur për Stambollin. Askush nuk e kupton sesa i rëndësishëm është qyteti në jetën e secilit prej nesh. Kur dikush flet për veten, flet për qytetin e tij dhe kur flet për qytetin e tij flet për veten u shpreh zoti Pamuk. Në mbrëmjen dedikuar Orhan Pamuk, folën shkrimtarë të ndryshëm. Romani Stambolli, kujtimet dhe qytetit tha shkrimtari Tufa na përfshin thellë në qytetin madhështor të tri perandorive , me historinë tërheqëse, enigmatike, me monumentet, me traditën ndërthurur magjishëm me modernen, myslimanizmin me kristianizmin. Botuesja e romanit, shkrimatrja Fultura Acka, duke falenderuar Kryetaren e Kuvendit për ceremoninë e veçantë të mikpritjes elitare në Kuvendin e Shqipërisë, tha se leximi i romaneve të Pamuk i ngjan një pushtimi të këmbësorisë së një ushtrie perandorake.
Në mbyllje të takimit, nobelisti Pamuk i gëzoi adhuruesit e shumtë shqiptarë të veprës së tij, me autografë dhe fotografi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›