Nobelistja kundër nobelistit

Herta Mueller, fituesja e çmimit Nobel për letërsi në vitin 2009, thotë se dhënia e çmimit të këtij viti shkrimtarit kinez Mo Yan është një ‘katastrofë’ që nuk duhej të ndodhte kurrë, dhe e ka akuzuar shkrimtarin kinez për lavdërimin e ligjeve të rrepta të censurës të shtetit aziatik.
Në një intervistë të botuar në ditoren suedeze Dagens Nyheter, shkrimtarja e lindur në Rumani – lufta e së cilës nën diktaturën e Nicolae Ceausescu ka influencuar pjesën më të madhe të veprave të saj – thotë se ka dashur të qajë kur ka kuptuar për përzgjedhjen e fituesit të Nobelit të këtij viti. Ajo thotë se ndien se ‘është një katastrofë’ dhe një përzgjedhje ‘jashtëzakonisht e mërzitshme’.
Mo, shkrimtari i parë kinez që e fiton çmimin Nobel për letërsi, është kritikuar për komprometimin e pavarësisë së tij artistike dhe intelektuale duke qenë anëtar i Partisë Komuniste dhe nënkryetar i asociacionit zyrtar të shkrimtarëve.