Noka: Goditja në asetet kriminale, e suksesshme
Sequi: BE ndihmë Shqipërisë në luftën kundër krimit
“Goditja e aseteve kriminale ka arritur sukses në luftën ndaj krimit të organizuar në Shqipëri”. Deklarata vjen nga ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në Workshopin e drejtuesve të skuadrave të anti-korrupsionit të policisë së shtetit. “Rritja e forcës goditëse ndaj elementëve kriminalë dhe goditja që u është dhënë në ‘thembrën e Akilit’, në sekuestrimin e aseteve kriminale ka shënuar progres dhe arritje shumë pozitive në këto vitet të fundit. Një ndër arsyet kryesore për këto arritje, është edhe përgatitja e ekspertëve, trajnimi dhe kualifikimi i tyre, për zbatimin rigoroz të ligjit, çka padyshim përbën një nga shtyllat ku është bazuar realizimi i detyrimeve të Planeve të Veprimit në zbatim të Strategjisë Anti-korrupsion për Policinë e Shtetit”- nënvizoi ministri Noka.
Ndërsa kreu i delegacionit të KE-së, në Tiranë, Ettore Sequi u shpreh se BE-ja do vazhdojë të ndihmojë dhe mbështesë Shqipërinë në luftën ndaj krimit financiar dhe të gjithë fenomeneve të tjera kriminale, sikurse ka bërë këto 10 vjet, nëpërmjet misionit PAMECA. “Shqipëria vazhdon të përdoret si rrugë tranziti për trafiqet, por Shqipëria ka barë shumë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit.
Hetimet pro-aktive duhet të jenë shumë aktive dhe Shqipëria i ka kapacitetet për goditjen e këtij kriminalitetit që kërkon bashkëpunimin e të gjithë institucioneve. Është bërë shumë për të plotësuar kuadrin ligjor”- deklaroi Sequi. Ekspertë të antikrimit financiar të bashkimit evropian kanë ndarë eksperiencën e tyre me kolegët e policisë së shtetit. Në takim është vlerësuar niveli profesional i specialistëve shqiptarë, si një garanci për suksesin në goditjen e korrupsionit apo aseteve kriminale të organizatave kriminale.