E Diel, 1 Nëntor 2026

Noka: “Porta e Alpeve” është projekt për të vjedhur 100 milionë euro

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Deputeti Flamur Noka akuzoi qeverinë, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, se po përdor projektet zhvillimore si instrumente për abuzim me fondet publike dhe korrupsion.

Duke iu referuar nismës “Porta e Alpeve”, Noka deklaroi se “po përgatitet një tjetër vjedhje me emrin ‘Porta e Alpeve’, për të magjepsur njerëzit, por në fakt është përgatitja e qeverisë për të vjedhur 100 milionë euro”.

Ai akuzoi mazhorancën se ka kthyer Shqipërinë në një narko-shtet, ndërsa shtoi se “kjo qeveri ka arritje bombastike vetëm për drogën dhe korrupsionin”.

Gjatë fjalës së tij, Noka krahasoi edhe kostot e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri me ato në rajon, ndërsa kritikoi gjithashtu projektet “Rilindja Urbane” dhe atë të “100 Fshatrave”.

“Në Greqi ndërtimi i rrugëve kushton 4,5 milionë euro për kilometër, ndërsa këtu në mes të Tiranës shkon 23 milionë euro kilometri. ‘100 Fshatrat’ dhe ‘Paketa e Maleve’ janë nisma për vjedhur, pasi këto projekte janë përdorur për përfitime korruptive dhe jo për zhvillimin e zonave rurale apo të veriut të vendit”.

“Çdo formulë e re që shpik qeveria ka pas vetes krimin dhe korrupsionin”, deklaroi Noka, duke shtuar se zonat veriore po përballen me shpopullim dhe mungesë investimesh në infrastrukturë dhe shërbime publike.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›