Noka: Tirana është në duart e qytetarëve, marshimi vazhdon pavarësisht gazit dhe ujit me presion

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat gjatë marshimit të opozitës në Tiranë.
Ai theksoi se protesta është paqësore dhe se sipas tij, çdo tentativë për ndalimin e saj ka dështuar.
“Kryengritja paqësore vazhdon pavarësisht dhunës dhe gazit lotsjellës. Pavarësisht se narko-Proda urdhëroi bllokimin e marshimit, asgjë nuk e ndalon marshimin e lirë. Siç e shikoni, çdo gjë që kanë bërë ka dështuar. Tirana është në duart e qytetarëve dhe jo të barbarëve të pushtetit,” u shpreh Noka.
Ai shtoi se askush nuk mund t’ia shpëtojë “lëkurën” kryeministrit Edi Rama, as me gaz lotsjellës, as me ujë, as me spraj. “Ne jemi të vendosur në rrugëtimin tonë dhe asgjë nuk na ndal.
Tirana u takon qytetarëve dhe jo barbarëve të pushtetit. Të gjitha rrugët e Tiranës do të jenë të qytetarëve,” tha Noka.
I pyetur nga gazetarët për përfundimin e marshimit, ai u përgjigj shkurt: “Ne jemi në marshim.”
Ndërkohë, protestuesit vijojnë marshimin drejt qendrës së Tiranës, ku nuk mungojnë thirrjet “Rama ik”. Situata paraqitet relativisht e qetë, megjithëse disa protestues kanë hedhur molotovë drejt koshave të mbeturinave.
/rtsh.al/