E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestuesit e opozitës marshojnë drejt Parlamentit, hidhen sërish molotovë

Pas zhvendosjes nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, protestuesit e opozitës kanë nisur marshimin drejt Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.

Turma e militantëve të Partisë Demokratike është përballur me kordonin e policisë pranë Drejtorisë së Policisë, ku kanë nisur përplasjet e para.

Protestuesit kanë tentuar të çajnë barrikadën e efektivëve, ndërsa policia ka reaguar duke përdorur ujë me presion nga autobotët dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar të hedhin molotovë dhe lëndë piroteknike në rrugë, duke tensionuar më tej situatën.

Forcat e rendit kanë qëndruar në pozicionet e tyre, duke mos lejuar kalimin e turmës drejt godinës së Policisë së Shtetit.

Sipas Gazetares se RTSH, Jonida Omeri,  destinacioni i radhës është Parlamenti, ku pritet të vijojë marshimi opozitar dhe më pas do i drejtohen Partisë Socialiste.

Policia ka mobilizuar mbi 1500 efektivë, ndërsa zona është e blinduar me gardhe metalike dhe mjete speciale për kontrollin e turmës.

Protesta është ende në zhvillim dhe pritet të përshkallëzohet me tensione të larta gjatë marshimit drejt Parlamentit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›