Përfundon tubimi i opozitës- Berisha: Tirana nuk ka njohur kurrë një marshim triumfi si ky i sotmi

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në përfundim të protestës së 28 shkurtit, e cilësoi marshimin treorësh të opozitës si një triumf historik dhe një mesazh të fuqishëm ndaj kryeministrit Edi Rama.
Berisha tha se “për tre orë, marshi juaj ishte marshi i fitores, ishte marshi i shqiptarëve, i dinjitetit, i guximit”, duke shtuar se kjo datë do të mbetet e gdhendur me “germa të arta” në historinë e kryengritjes paqësore kundër “narkoshtetit”.
Ai paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë një tjetër protestë, të cilën e përshkroi si më të fortë dhe më të frikshme për Ramën: “Do jetë forma që ta tmerrojë më shumë Ramën. Siç përcollën Lubinë, do përcjellim edhe Ramën.”
Kreu i PD-së akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve, duke përmendur rastin e deputetit Luciano Boçi, për të cilin tha se u sulmua me spraj në sy:
“Dënoj me forcën më të madhe dhunën jashtë çdo lloj shkaku të përdorur ndaj protestuesve. Me urdhër të Edi Ramës është agresuar në mënyrë personale Luciano Boçi dhe janë përpjekur që t’i krijojnë probleme serioze me sytë.”
Berisha shtoi se edhe vetë ishte shënjestruar me topa uji: “Nuk ka topa që më lëkundin mua.”
Një tjetër deklaratë e fortë e Berishës lidhej me një pajisje të dyshuar përgjuese, e cila sipas tij u gjet brenda selisë së PD-së:
“Punonjësit kanë kapur një person që ka ardhur këtu për të vendosur një pajisje. Çfarë është pajisja nuk mund të flas, sepse duhen teknikë të fushës. Por më thanë që është pajisje shumë e kushtueshme. Ai nuk largohet, kërkon mbrapsht pajisjen. Por pajisje nuk merr më ai, pa sjellë identitetin. E ka dërguar Ilir Proda dhe Vlora Agasi.”
Berisha konfirmoi se pajisja po studiohet nga ekspertët për të verifikuar funksionalitetin e saj.
Në fjalën e tij, Berisha paralajmëroi se opozita është e gatshme të protestojë edhe pranë banesës së kryeministrit në Surrel:
“Nëse u them unë tani, për 25 minuta këta janë në Surrel. Por gjërat kanë planifikimin e tyre, jo pa plan. Kur bëhet plani e nisim dhe e bitisim.”
Në fund, Berisha e cilësoi protestën si një marshim të fitores dhe të guximit, duke e shpallur 28 shkurtin si një datë historike për opozitën dhe duke paralajmëruar intensifikim të aksioneve në ditët në vijim.
/rtsh.al/