Noli, mik i vërtetë i miqve të vërtetë grekë
Nga prof. Nasho Jorgaqi
(Mbi disa intervista të panjohura të F. Nolit)
Gjatë gjashtë muajve që Fan Noli u vu në krye të qeverisë demokratike, dalë nga Revolucioni i qershorit të vitit 1924, i kushtoi vëmendje edhe marrëdhënieve me fqinjin jugor, Greqinë. Me gjithë pengesat dhe rrethanat e vështira të kohës, ai nuk reshti së punuari për një atmosferë mirëkuptimi, që do ti shërbente forcimit të miqësisë mes popullit shqiptar dhe atij grek.
Pasqyrë e qartë e kësaj veprimtarie të Fan Nolit janë një varg intervistash dhe ndonjë artikull që ai i dha shtypit grek të kohës, siç qenë gazetat e mirënjohura Politia, Nea Imera, Demokratia, Eleftheron Vima, Skrip etj. Vështruar në distancë kohore, ajo që të bën përshtypje, duke lexuar këto dokumente, është fakti se të gjitha mendimet dhe idetë e shprehura prej tij kanë një emërues të përbashkët. Fan Noli vë në dukje me argumente dhe transparencë të plotë lidhjet shpirtërore dhe historike shqiptaro-greke, të përbashkëtat dhe afërsitë midis tyre, aspiratat e ndërsjella për të jetuar në vëllazëri dhe paqe, bashkëjetesën e tyre si fqinjë të përjetshëm.
Dihet se Greqia dhe kultura helene zënë një vend të veçantë në një pjesë të jetës dhe formimit intelektual të F. Nolit. Ai mori mësimet elementare dhe kreu gjimnazin në gjuhën greke, ndoqi për një kohë me korrespondencë Universitetin e Athinës, krijoi disa nga veprat e para letrare dhe veçanërisht ato publicistike në gjuhën e këtij vendi, si drama Zgjimi, bashkëpunoi me disa organe të njohura të kryeqytetit grek, si revista politiko-kulturore Numas (1903), përktheu dhe luajti në greqisht vepra të Shekspirit dhe Ibsenit, disa nga miqtë e tij më të ngushtë ishin grekë, si aktorët Venjeri dhe Apostoli apo gazetaria e njohur Pesiris. Më vonë, megjithëse u angazhua në një luftë të ashpër politike për krijimin e Kishës ortodokse shqiptare dhe u ndesh me qarqet shoviniste greke, kjo nuk e pengoi asnjëherë të ushqejë ndjenja miqësore ndaj popullit grek dhe të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë ndaj kulturës së lashtë e të re helene.
Në këtë vështrim do ta shohin dhe do tia prezantojnë gazetarët grekë publikut të tyre kryeministrin shqiptar. Kjo ka bërë që të gjitha intervistat ti ngjajnë një dialogu miqësor mes përfaqësuesve të kulturës së vendeve tona, ku Noli, në këtë rast, është figura qendrore.
Në radhë të parë, në intervistat e tij, Fan Noli gjen rast të evokojë me dashamirësi por edhe me objektivitet e realizëm marrëdhëniet shpirtërore dhe historike shqiptaro-greke. Ai deklaron me një sinqeritet prekës: Ekzistojnë kaq lidhje race dhe historike dhe aq bashkime interesash midis dy popujve, saqë çdo njeri i arsyeshëm dhe i çliruar nga paragjykimet është e natyrshme të presë lidhje shumë miqësore dhe bashkëpunimi të sinqertë midis dy shteteve. Një mendim të tillë ai e mbështet në argumente që kanë të bëjnë më fqinjësinë mijëvjeçare të popujve tanë. Është e tepërt të flasim, – thotë ai, – për origjinën e përbashkët të dy popujve që kanë po ata stërgjyshër. Gjithnjë të dy popujt kanë pasur komunikime. Kolonitë greke, që njëherë e një kohë lulëzonin në Iliri, u lanë gjakun grek shqiptarëve dhe kolonitë shqiptare të shumta në Greqi, që po shkrihen përditë, e përforcuan shumë kombin grek. Fan Noli me këtë rast sjell shembullin tepër domethënës të kryengritjes çlirimtare të vitit 1821, në të cilën shqiptarët i ofruan shërbime të mëdha Greqisë dhe kontribuuan me trimërinë dhe përkushtimin e tyre në realizimin e aspiratës kombëtare të atdheut të dytë. Shumë prej heronjve të saj, – shprehet Noli, – ishin shqiptarë dhe pasardhës i tyre është dhe Presidenti i sotëm i Republikës , Kondurioti. Duke vijuar më tej, kryeministri shqiptar nuk mungon ti paraqesë fqinjëve jugorë mirënjohjen e popullit të tij ndaj tyre kur shkruan: Shqiptarët nuk harrojnë se në sajë të kulturës greke u nxit ndjenja e tyre kombëtare. Apostujt e parë të idesë shqiptare kanë qenë të diplomuar në gjimnazin grek të Janinës.
Mbi këto baza historike Fan Noli arsyeton dhe kërkon ti ngrejë dhe ti shpjerë më tej në kushte të reja marrëdhëniet e ndërsjella mes dy vendeve. Sipas tij jo vetëm që ka shumë gjak shqiptari në Greqi, por, çështë më e rëndësishme, ajo që i bashkon shqiptarët dhe grekët është më e madhe dhe më e fortë se sa ajo që i ndan. Politikani dhe historiani shqiptar nuk lë pa nënvizuar tolerancën e lartë fetare të shqiptarëve, të cilët, edhe pse janë në shumicën e tyre myslimanë, kanë vënë në krye të qeverisë një peshkop, një rast ky unikal, kur dhe vendet tërësisht ortodokse të Ballkanit nuk kanë arritur ta bëjnë këtë gjë. Noli i kundërvihet edhe pikëpamjes së disa politikanëve grekë, që mendonin aso kohe se në Shqipëri po krijohej një Turqi e vogël e maskuar, e cila përbënte një rrezik për rajonin e Ballkanit. Ai që e njihte aq mirë historinë dhe psikologjinë e popullit të tij, do ta cilësonte këtë mendim tepër tendencioz, një absurditet politik, pa asnjë bazë dhe do të shtonte se nga pikëpamja fetare nuk besoj të ketë një shtet të qytetëruar, ku të mbretërojë gjerë në indiferentizëm toleranca fetare sa në Shqipëri.
Përsa i takon ftohtësisë që ekziston mes dy vendeve tona kjo vjen, sipas Nolit, si pasojë e çështjes së kufijve, zgjidhja e të cilëve i la të pakënaqur të dy palët. Dhe është e natyrshme: disa mijra albanofonë mbetën brenda kufijve grekë, disa mijra grekofonë brenda kufijve shqiptarë. Duhet të pranojmë se albanofonët janë më të shumtë se grekofonët. Por dhe të shtojmë se sakrifica ka qenë shumë më e vështirë për Shqipërinë e vogël se për Greqinë që është tetë herë më e madhe dhe njëzetë herë më e pasur se Shqipëria. Megjithatë interesi më i lartë i popujve tanë, që kanë aq shumë nevojë për paqe, na imponon ti jepet fund kësaj çështje dhe të mbyllen njëherë e përgjithmonë këto defter të vjetër… Të mendojmë më me qetësi dhe më shumë për ato çështje të panumërta që na afrojnë me njëri tjetrin dhe janë në gjendje të ndriçojnë dhe përforcojnë vëllazërinë tonë, duke ia lënë të kaluarës ato që gjer tani na kanë ndarë.
Për Nolin, guri i provës i të drejtave të minoriteteve është respektimi reciprok i tyre. Ato janë ura e marrëdhënieve midis nesh. Arka e shtetit tonë mban shkolla greke, bashkëqytetarët tanë grekofonë gëzojnë po ato të drejta si shqiptarët. Këtë gjë duhet të bëjë dhe shteti grek kundrejt shqiptarëve që rrojnë në Greqi… Në qoftë se ju i respektoni si ne, dijeni se veç dispozicionit tonë të mirë e të sinqertë, jemi fatalisht të parrezikshëm…
Korrespondenti i gazetës greke Skrip e përshkruan me këto fjalë portretin e Fan Nolit kur e interviston në Romë: Është i shkurtër, i bëshëm, brun dhe mban një mjekër të zezë të gjatë. Megjithqë nuk vesh raso, të jep menjëherë pamjen e një kleriku të sjellshëm, me fjalë të ëmbël e zë të ulët, pothuaj i turpshëm, ngjan me çdo gjë tjetër se sa me një shqiptar. Po vështrimi i tij që lëshon shkëndija dhe sytë e tij që lëvizin dhe zhbirojnë vazhdimisht, dëshmojnë shumë. Shmanget të vështrojë në fytyrë dhe kur flet luan vazhdimisht me gjishtrinjtë e tij dhe vështron pa ngritur kokën.
Për gazetarin grek kryeministri shqiptar ka një vizion të qartë dhe optimist për të ardhmen e vendit të tij kur thotë se Nga pikëpamja e qytetërimit vendi im është më prapa nga popujt e Veriut dhe të Perëndimit. Po ekzistojnë në Shqipëri mundësi më të mira për një evolucion të shëndoshë, i cili do të përgatiste një të ardhme të lumtur për vendin. Shqipëria mund të zgjidhë çështjen fetare njëherë e përgjithmonë. Shqipëria është si Amerika dhe Franca pa fe zyrtare. Shteti dhe nëpunësit e tij nuk kanë të drejtë të përzihen me çështjet fetare. Në këtë fushë individi është zot i vetes dhe feja është çështje ndërgjegjeje. Liria është thesari më i vyer i shqiptarit.