E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e PS, Rama: Nuk do jem diktatori i radhës

Detajet e ceremonisë, Meta nuk i jep dorën Majkos

IMG_3209 Partia Socialiste në një darkë mondane ka festuar mbrëmë fitoren e saj në zgjedhjet e 23 qershorit, por edhe 22 vjetorin e krijimit të saj. Të pranishëm ishin përfaqësuesit më të lartë të PS, dhe aleatëve të saj ndërkohë që mungoi ish-kryetari i saj Fatos Nano dhe ish-deputeti, Arben Malaj. Gjithashtu festës së socialistëve nuk i është bashkuar as kryeministri në largim, Sali Berisha dhe asnjëri nga përfaqësuesit e partive të djathta pavarësisht ftesës së dërguar nga PS ditë më parë.
Edi Rama
I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, kreu i PS-së Edi Rama mbërriti në ceremoni rreth orës 20:00. Pas mbërritjes së tij, Rama disa prej figurave kryesore të së majtës por edhe mbështetës të PS-së. Në fjalën e tij të rastit, kreu i PS-së u ndal veçanërisht tek koalicioni me LSI-në, ndërsa e quajti atë si bashkimin e së majtës shqiptare.
Fjalimi
Që në fillim të fjalës së tij, Rama falënderoi kryetarin e LSI, Ilir Meta, ndërsa tha se mandati i tyre është i fortë në numra, por i brishtë përballë njerëzve. Më lejoni të falënderoj sot në mënyrë të veçantë aleatët tanë strategjikë dhe në veçanti Ilir Metën për gjithçka bëri që interesi i Shqipërisë të fitonte mbi ndasitë dhe konfliktet e së shkuarës mes nesh. Koha do e provojë edhe në qeverisje atë që 23 qershori provoi në zgjedhje. PS dhe LSI mund të bëjnë histori. Rama foli edhe për 21 janarin dhe vështirësitë e tyre në opozitë. Kur u zgjodha në krye të PS shtatë vjet më parë vendosëm një sërë objektivash. Rruga nuk ishte aq e shkurtër sa dëshironim, ndeshëm pengesa të mëdha, u vodhëm në zgjedhje, u rënduam shpirtërisht dhe u tronditëm fizikisht në rrugën e rezistencës opozitare. Humbëm katër jetë të pafajshme njerëzish, që shpresoj se sonte janë më të qetë aty ku prehen, edhe pse e dinë se nuk do jenë kurrë të qetë pa u bërë drejtësi për vrasjen e tyre. Në rrugën e opozitës bëmë edhe gabime. Por më në fund ia dolëm dhe ia kemi dalë në mënyrën më të bujshme. I kemi dhënë të drejtën për të qenë krenar në përmbylljen e këtij kapitulli në jetën opozitare, tha Rama.
Respekt opozitës
Kreu i PS dhe kryeministri i ardhshëm ka premtuar respekt ndaj opozitës, duke thënë se shqiptarët nuk do shohin tek ai diktatorin e radhës. Tani do kem mundësinë dhe kënaqësinë që tu provoj sesa shumë gabojnë kur më shohin dhe më friken si diktatori i radhës. Dua të falënderoj edhe të gjithë njerëzit e shtypit, që ushqyen shpirtin opozitar duke kritikuar pushtetin, por edhe ne. Unë jam i bindur se nën qeverisjen tonë shtypi do jetojë ditët më të mira dhe liria do fitojë një cilësi që nuk e ka pasur deri më sot. Unë do jem i angazhuar që piciri që kemi hequr në opozitë të na shërbejë jo si një revansh, por si mësim se çfarë nuk duhet bërë ndaj opozitës dhe këtu e kam fjalën për opozitarizmin si të tërë, tha Rama duke shtuar se edhe kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë do jetë garanti i ri i parlamentarizmit shqiptar.

Ruçi, Dade, Klosi dhe Majko presin të ftuarit
Gramoz Ruçi, Arta Dade, Blendi Klosi dhe Pandeli Majko ishin katër të zotët e shtëpisë, të cilët u kanë uruar mirëseardhjen të gjithë të ftuarve të djeshëm. Katër përfaqësuesit e PS-së ishin rreshtuar në hyrje të ambientit ku po zhvillohej ceremonia e festës së Partisë Socialiste dhe u kanë uruar mirëseardhjen e tyre më shumë se 500 personave të pranishëm në ceremoni. Kjo ishte një tjetër risi e sjellë nga organizatorët e këtij eventi, risi këto të cilat janë shtuar ndjeshëm që nga koha kur në drejtimin e Partisë Socialiste ka ardhur Edi Rama.

Meta nuk i jep dorën e Majkos
E vetmja notë e stonuar në festën e PS-së ka qenë kur Ilir Meta nuk i ka dhënë dorën Pandeli Majkos. Edhe pse tashmë janë pjesë e një koalicioni marrëdhëniet mes Metës dhe Majkos jenë ende të ngrira. Në kohën kur Meta ka mbërritur në ambientin ku po zhvillohej ceremonia, në hyrje të saj ishin vendosur katër përfaqësues të PS-së, mes të cilëve edhe Majko të cilët u uronin mirëseardhjen të ftuarve. Në momentin kur Majko dhe Meta do të shtrëngonin duart mes tyre, ky i fundit u shmang duke mos e takuar deputetin socialist. Marrëdhëniet mes Metës dhe Majkos u tensionuan në fillim të muajit Prill ku u zyrtarizua edhe koalicioni PS-LSI. Për koalicionin me LSI-në, Pandeli Majko do të shprehej se nuk mund ti them derrit dajë, ndërsa shtonte se do të vijonte të ishte me koalicionin e 21 Janarit dhe jo me atë të 1 Prillit. Duket se ende këto deklarata vijojnë ti mbajë ende larg dy ish-kryeministrat e vendit.  

Asnjë drejtues i së djathtës në festë
Edhe pse PS u kishte dërguar ftesa të gjithë drejtuesve të krerëve të partive të djathta, asnjëri nga ata nuk kanë marrë pjesë në gëzimin e së majtës. Siç duket e djathta ende nuk e ka kapërdirë humbjen.

Mungojnë në festë Gjinushi dhe Dule
Në festën e PS ka rënë në sy mungesa e kreut të PSD-së, Skënder Gjinushi. Ky i fundit kohët e fundit ka kritikua Ilir Metën, por pas zgjedhjeve nuk ka folur më. Ndërkohë që në festë ka munguar edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.

Mungon edhe Nano
Edhe lideri historik i PS ka munguar në festë. Për të ka pasur një ftesë, por ish-kryeministri ka qenë në Vjenë. Megjithatë tashmë dihet ftohja mes tij dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›