Nolian Lole: Pres ndryshime, me ardhjen e Kryepeshkop Joanit!

Kryeredaktori i RTSH24, Nolian Lole, i ftuar në emisionin “Një Shqipëri” theksoi se, figura historike e Fan Nolit mbetet një udhërrëfyese e pamohueshme, për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
“Ndoshta, një herë të vetme, duhej të kërkohej falje… pse ato mesha të mëdha nuk u mbajtën në shqip,” shprehet ai me keqardhje, duke iu referuar dekadave të kaluara. Për të dhe shumë të tjerë, përdorimi i shqipes në ritualet fetare nuk është thjesht një çështje gjuhësore, por një simbol i identitetit kombëtar dhe trashëgimisë së pavarësisë kishtare që Fan Noli e vendosi me vendosmëri.
“Në intervistën e tij për gazetën “Tema”, Kryepeshkop Joani përmendi arritjet e Fan Nolit në politikë dhe fe, duke njohur hyrjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, si dhe “kremtoren”, fletoren fetare të përkthyer nga Noli në shqip” u shpreh Lole.
Në një reflektim personal, Lole kujton rrënjët e tij në ortodoksi, përmes familjes së tij të lidhur ngushtë me manastirin e Shën Vlashit. “Gjyshi im ka pasur çelësat e manastirit të Shën Vlashit, nëna ime ka lindur në Manastirin e Shën Vlashit, ka qenë administratore atje. Në shtëpi, Pashkët e ’89-ës… kam parë për herë të parë vezë të kuqe. Kam dëgjuar psalmet e Davidit në shqip, të përkthyera nga Fan Noli…”
“Unë shpresoj që nga sot, nga nesër… me ardhjen e Joanit, gjendja të ndryshojë,” përfundoi Nolian Lole.