Nostalgjia e Tirana Brodway
Një bisedë me kompozitorin Agim Krajka për këngën që prezanton në Festivalin e 48-të të Këngës në RTSH, nostalgjinë që e nxiti të kompozojë për rininë e viteve '60 dhe gjendjen e varfër te krijimet muzikore sot.
Pas 20 vjetësh, merr pjesë me këngën "Tirana Brodway", që ia ka besuar këngëtares së re Goldi Halili
Të rinjtë e viteve '60 kishin kënaqësi të kalonin një orë në rrugën "Tirana Brodway". Tani vështirë e kujtojnë përse u quajt ashtu. Një rrugë që gjallohej nga shëtitjet, buzëqeshjet, shikimet fshehtas, veshjet e bukura që bliheshin në Mapon që gjendej në atë rrugë.
Kështu i kujtohet kompozitorit Krajka rruga, që tani e mbushur me dyqane të shtrenjta dhe tabela të huaja, nuk ruan asnjë gjurmë të së kaluarës, në gjendje të vrasë edhe kujtimet. Këto kujtime, ai ka menduar t'i mbledhë dhe t'i ruajë në një krijim muzikor, që e prezanton në Festivalin e Dhjetorit këtë vit.
Për të interpretuar krijimin e tij, Krajka ka zgjedhur këngëtaren e re Goldi Halili, duke i besuar "zërit të saj natyror dhe të pastër".
"Është në natyrën time që të zgjedh zëra të rinj", thotë ai, i kënaqur edhe për bashkëpunimin me autorin e tekstit, Jorgo Papingjin.
Hera e fundit që krijuesi ka qenë në Festivalin e Këngës, ka qenë në vitin 1989, i ftuar të marrë pjesë në jurinë e tij. Rikthehet pas 20-vjetësh, në skenën ku ka marrë shumë çmime dhe përpara një publiku që ende e kujton kompozitorin e "Lemzës" kënduar nga Vaçe Zela, "Nuk e harroj" Irma dhe Eranda Libohova, fituesen e çmimit të parë në vitin 1987.
"Nuk kam asnjë pretendim. Një këngë më shumë, apo një këngë më pak, në këtë moshë nuk përbën ndryshim për mua, apo një çmim më pak, një më shumë...
Do të më pëlqente të dilja prapë me portretin tim si muzikant. Sërish mbetem Agim Krajka, me shijet e mia muzikore", pohon ai. Më pas e vazhdon bisedën për krijimet e varfra muzikore sot, tematikës shumë të kufizuar që ato trajtojnë, vlerat e vërteta të muzikës që lihen në harresë dhe për pseudo artistët dhe pseudo ritmet.
Z. Krajka, për Festivalin e Dhjetorit keni krijuar këngën "Tirana Brodway". Gabohemi po të themi se është një krijim modern muzikor?
Këtu ka një konflikt të vogël. Në këtë kohë ka me të vërtetë këngë moderne, por ka edhe pseudo moderne. Krijuesi po të mos e ndiejë, po të mos ketë formim për të qenë modern, është pseudo moderne.
Për kaq kohë sa kam ardhur në Shqipëri, pas një emigracioni të gjatë, në tekstet e këngëve dëgjoj vetëm fjalët "Të dua" , "S'të dua". A thua se kjo është motoja e të qenit shqiptar dhe e atij ideali për të jetuar si shqiptarët mes Evropës? Është një tematikë shumë e kufizuar. Nuk e kuptoj pse. Po pres, po hulumtoj. Hap të gjithë stacionet televizive dhe kudo të njëjtat këngë.
Ekspozohet çdo gjë që nuk është e nevojshme vetëm për të ekspozuar veten se kush është si këngëtare, apo edhe si këngëtar, duke lënë mënjanë vokalin. Lënë shumë gjëra mbrapa, vetëm të evidentohen se kush janë, jo me mjete artistike.
Çfarë cilësish ka një krijues i mirë?
Të shkruash një këngë do të thotë të jesh një mbartës i mirë i dijeve dhe të kesh një shkollim profesional. Mund të bësh një këngë edhe pa qenë i shkolluar. Ke një frymëzim që ia jep një kompozitori, i cili e orkestron, e harmonizon. Drama nuk është këtu.
Unë nuk po them që në Shqipëri nuk ka kompozitorë të shkolluar. Ka kompozitorë që po të duan, bëjnë edhe këngë shumë më të bukura sesa këto që dëgjojmë.
Nuk them se duhet të ketë censurë, por gama e të qenit njeri dhe e të jetuarit, është më e madhe sesa ajo moshë të cilës i këndohet, që është mosha më e shkurtër në jetën e njeriut, pra rinia. Do ta doja ta pyesja një këngëtare të re, që kur të jetë 35 vjeçe, me sa kënaqësi do t'i dëgjojë ato që ka kënduar? Unë nuk po dëgjoj sot këngë për shumë e shumë hapësira të tjera që ka jeta.
Cilat më konkretisht?
Po njerëzit që e kanë kaluar rininë, nuk duhet të ketë muzikën e tyre, që t'i shoqërojë në kënaqësitë e tyre familjare?
Po me çfarë këngësh? Me Rap dhe Hip-Hop? Jo se nuk duhet. Kësaj rinie i duhet Rap-i, por le të organizohet një koncert me muzikë të tillë. Ndihem i fyer që një popull me një kulturë të tillë, me një folklor të tillë, të dhunohet nga pseudo ritmet që bëhen për biznes, për kafet e natës. Nuk po them të ketë censurë, por ama 80 për qind e popullatës nuk e gjen veten tek këto këngë. Të gjithë kemi qenë të rinj dhe e kemi thënë fjalën "Të dua".
Por, njeriu dashuron natyrën, lulet, ka nostalgji për një shok të tijin, për ëndrrat e parealizuar të dashurisë, tema këto që mund të rrëfehen në një këngë. Kompozitorët më të vërtetë të shkolluar e kanë gamën e mënyrës së të shkruarit dhe tematikës së këngëve më të gjerë.
Por, këta janë të paktë sot. Në shumicën e krijimeve që shoh unë, ndoshta e kam gabim, janë viktima të një instrumenti (keyboard). Unë dhe gjenerata ime nuk e dinim kurrë sesi do të quhej kënga jonë para se të shkruhej.
Ajo që do të shkruhet, krijohet njëherë në kokë. Mendohet, formulohet dhe më pas materializohet në piano. Ka shumë prej këtyre këngëtarëve që nuk njohin notat, ndërkohë ka shumë profesionistë të mirë që janë detyruar të ndjekin këtë lloj tregu.
Ku është krijimtaria serioze dhe e vërtetë?
Për çfarë flet "Tirana Brodway"?
Një nga arsyet që unë e kam shkruar këtë këngë është sepse për rininë tonë në atë kohë nuk ekzistonte një dritë jeshile. Kënga i kushtohet kësaj rruge, që nga Teatri i Operës deri tek fillimi i Rrugës së Barrikadave.
Nuk e di sesi e mori emrin "Tirana Brodway". Të gjithë të rinjtë kalonin aty dhe ishte kënaqësi e madhe. U bë një modë që të gjithë djemtë, të gjitha vajzat e bukura të kalonin një orë, një orë e gjysmë aty. Shikonin ndonjë vajzë dhe shkëmbenin përshëndetje.
Kam vërtet nostalgji për ato vite. Në atë kohë, unë kam shkruar këngën e parë, "Lemzën", në vitin 1962. U krijua një elitë intelektuale dhe që të gjithëve u pëlqente të vishnin diçka të bukur. Aty afër kishte një Mapo.
Çfarë kujtoni tjetër nga këto vite?
Kishte të rinj inteligjentë, me kërkesa. Drita jeshile nuk ekzistonte për rininë në atë kohë, vetëm aksione, zbor, por gjithsesi dëgjonin rreth e qark çfarë bëhej. Dëgjonim Çelentanon, pasi radion nuk na e ndalonin dot. Jo se unë dua t`ja imponoj rinisë Broduejin, por duhet ta dinë që dikush në rininë e vet ka sakrifikuar për të qenë këta sot.
Kujt ia keni besuar këngën?
Është një këngëtare e re. Quhet Goldi Halili dhe është 14-vjeçe e gjysmë. Është shumë inteligjente. Më ka befasuar. Ka një zë natyror, të pastër. Ka qenë edhe në natyrën time që të zgjedh zëra të rinj. Ka një arritje të çuditshme. Që kur kemi filluar me këngën, ajo ka këto arritje që ka sot.
Falë edhe mësueses së saj, Zana Frashërit, që i ka dhënë një ndihmesë të madhe asaj dhe nëpërmjet saj, edhe këngës sime. Respekton deri në detaje atë që i thotë një kompozitor, apo pedagogu i saj. Unë jam shumë i kënaqur me të.
Të njëjtën kënaqësi keni pasur edhe në bashkëpunimin me Papingjin, krijuesin e tekstit?
Kur ai e dëgjoi këtë pjesë muzikore, më tha: "Kjo është Jazz". Unë nuk jam nga ata që i vë emrin ritmit, por vetë kënga, në mënyrën si ajo është shkruar, si është orkestruar, si është kompozuar, të çonte tek kjo rrymë muzikore. Kurse për krijimin i shpjegova: "është për atë rini që ëndërronte një lloj muzike të tillë dhe nuk e gjenin kurrë.
Ja kur kalonim tek kjo rrugë, që e quanim 'Tirana Brodway'". "Mbaroi tha kjo punë", më tha, e titullojmë kështu. Jam shumë i kënaqur që kam pasur mirëkuptim edhe me të. Unë nuk kam asnjë pretendim.
Një këngë më shumë, apo një këngë më pak për mua nuk përbën ndryshim në këtë moshë, apo edhe një çmim më pak, një më shumë... Do të më pëlqente të dilja prapë me portretin tim si muzikant. Sërish mbetem Agim Krajka, me shijet e mia muzikore.
Pra, është nostalgjia që ka krijuar gjendjen e frymëzimit?
Ishte një gjendje shumë nostalgjike. Tani mua nuk më duket se jam në Tiranë. Është e vështirë për t'u orientuar, mes gjithë këtyre emërtimeve të huaja nëpër dyqaneve, emrave të ndryshme të rrugëve. Ne nuk kemi qenë kurrë majmunë të një qytetërimi tjetër. Ta dëgjojnë edhe të rinjtë këtë këngë e të kuptojnë se ka ekzistuar edhe në atë kohë një romantizëm i madh dhe me një sakrificë shumë e madhe.
Pse është e rëndësishme pjesëmarrja në Festivalin e Dhjetorit?
Zanati im ky është. Mbetem i dashuruar pas Radio Televizionit Shqiptar. Këto ditë që kam qenë aty kam parë një staf shumë profesional, njerëz të shkolluar, të interesuar dhe shumë të impenjuar që ky të jetë një festival mbarëshqiptar.