E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nostalgjia e kinemasë hapet me Erebarën dhe Anagnostin

 

Festivali Veror i Filmit, sot në Durrës

Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit që hapet sot në Durrës, ofron dhe një paketë me filma, prodhime të Kinostudio “Shqipëria e Re”, ndër më përfaqësuesit në festivalet e filmave shqiptarë në vite. I pari për projeksion, nesër, e diel, 24 gusht, është “Në fillim të verës” i vitit 1975 i regjisorit Gëzim Erebara. Filmi shfaqet në orën 11.00 në kinemanë “Aleksandër Moisiu”, pas konferencës për shtyp që organizatorët mbajnë me praninë e stafit të filmit premierë “Koha e kometës” e Fatmir Koçit.

“Në fillim të verës” i shkruar nga Peçi Dado, na kthen në një qytet bregdetar në Shqipërinë e vitit ’42, e pushtuar nga Italia fashiste. Një grup ilegalësh synon të hedhë në erë një depo ushtarake me municione. Fshatari Jaho Labi që hyn në punë si hamall dhe vajza e Riza Korrës, Vera, të cilën i ati kërkon ta mbajë të mbyllur lidhen me njerëzit e lëvizjes komuniste, ndërsa toger Gurabardhi që ka punuar pranë italianëve e ndihmon grupin t’ia arrijë qëllimit, me sakrifica. Në rolet kryesore interpretojnë Astrit Çerma, Sandër Prosi, Demir Hyskja, Agim Shuke, Albert Vërria, Elida Cangonji, Ndrek Luca, Guljelm Radoja.

Menjëherë pas tij, në të njëjtën kinema, në orën 12.30, projektohet “Lulekuqet mbi mure” i regjisorit Dhimitër Anagnosti, prodhim i vitit 1976. I vlerësuar nga kritika dhe nga publiku si një ndër filmat më të mirë në historinë e kinemasë klasike shqiptare, “Lulekuqet” i shkruar nga Anganosti dhe Petraq Qafzezi, edhe ai na kthen në Shqipërinë e luftës, në një strehë vorfnore, në Tiranë, që drejtohet nga italianë. Të nxitur nga komunistë ilegalë, katër shokë të vegjël Jaçe, Lelo, Bardhi dhe Tomi organizojnë rrëzimin e kujdestarit nga shkallët. Nga frika e presioneve të kujdestarit njeri prej jetimeve, i quajtur Sulo, të cilin kujdestari e kishte vënë për të spiunuar shokët, përpiqet të kapërcejë muret e jetimores dhe vritet nga patrulla fashiste. Më 1977 është shpallur më i miri i Festivalit të dytë të filmit shqiptar. Interpretojnë Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Alfred Kote, Liza Laska etj. Të dy filmat kanë për kolonë zanore muzikën e mrekullueshme të Kujtim Laros. Pavarësisht se të gjithë filmat klasikë shqiptarë të programuar gjatë ditëve të festivalit në Durrësit (23-31 gusht) “janë mjelë” nga televizionet në gjithë këta vjet, publiku të jetë i sigurtë se ka për të marrë një emocion të veçantë që ekrani i TV nuk ta jep kurrë. Ka për të marrë aromën e pelikulës në ekranin e madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›