E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikë meskinësh pa vizion

Stina e nxehtë politike e kësaj vere, është bërë edhe më pikante nga dozat e herëpashershme të sarkazmës që i shtohen prej sjelljeve banditeske të një kryetari provincial i cili duket se ka radikalizuar fuqishëm gjuhën dhe kërkesat separatiste të një OJF-je minoritare, duke rritur ndërkohë dhe profilin e saj politik. Ajo që të bie menjëherë në sy, është se ndërsa faktori shqiptar në Ballkan me pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e të drejtave legale dhe implementimin gradual të Marrëveshjes së Ohrit dukej se po fitonte terren, ndërsa shteti fqinj grek ishte në polemikë të ashpër me Maqedoninë fqinje, gjithsesi gjen kohën dhe mundësinë për të hedhur shashka.

Se ç`ka për t’u përmirësuar për një minoritet 1.6 përqindësh që përfshin një grumbull fshatrash në zonën e Dropullit dhe ku standardi i jetesës shpesh kalon edhe atë të disa prej qyteteve kryesore të vendit, ky është një rebus që i ngelet ta zgjidhë Këshilli i Evropës ku europarlamentarë grekë, herë pas here kërkojnë rezoluta për ngritjen e problemit të keqtrajtimit të këtij minoriteti në Shqipëri. Duke bërë sikur harrojnë që, nëse zakonisht raporti mësues-nxënës është 1 me 30 si mesatare në shkallë vendi, në zonat minoritare shpesh ka edhe klasa me një apo dy nxënës, që shkolla greke u hapën edhe në zonën jo-minoritare të Himarës, madje kërkohen të hapen edhe në Korçë, Gjirokastër dhe gjetkë. Po ashtu numri i mjekëve për frymë të popullsisë është ku e ku më i lartë në këto zona se në pjesët e tjera të vendit, për mos të folur për pensionet që këta minoritarë i marrin të dyfishta, ku ai grek zakonisht paguhet nga fondet komunitare që normalisht duhet të kalonin nga shteti shqiptar.

Së fundmi, si qershia në majë të tortës, kërkohet edhe njohja si gjuhë e dytë zyrtare e greqishtes sipas modelit të projektuar në Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoninë fqinje, duke kërkuar të njëjtat të drejta që gëzon popullsia shqiptare atje, (popullsi e cila është shtet-formuese dhe zë rreth 30 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit fqinjë). Dhe përballë sulmeve të tilla verbale, të shoqëruara herë pas here edhe me aksione konkrete,-- si heqja e tabelave nga rrugët nacionale -- shteti shqiptar hesht. Një heshtje e turpshme që nuk dihet nëse vjen nga ndonjë kompleks inferioriteti, blerje e drejtpërdrejtë apo rëndësia e tepërt që i jepet vendit fqinjë në frenimin e rrugës së integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike.

Nëse është kjo e fundit, kjo nuk ka shumë të bëjë me fatet e administratës aktuale, pasi procesi i zgjerimit kërkon shumë më tepër kohë se jetëgjatësia e një mazhorance dhe është një produkt shumë më i gjerë gjeopolitik, ku merren parasysh shumë faktorë dhe nuk mund të mbahet kurrsesi peng nëpërmjet shantazhit. Për model reagimi ndaj politikave interferuese të shtetit fqinj, klasa jonë politike ndoshta duhet të ketë politikanin e tipit Gruevski, pozicioni i të cilit ndonëse shumë më delikat se ai i Shqipërisë, gjeti guximin të dërgojë dy letra të forta homologut të tij Karamanlis si dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të kërkuar deri edhe njohjen (e pabazuara në fakt) të minoritetit maqedonas në Greqi, në një kohë që ne nuk po kërkojmë as të drejtat themelore të emigrantëve tanë atje. Por kjo kërkon guxim dhe largpamësi, çka e dallojnë dhe një burrë të vërtetë shteti nga politikanë meskinë dhe të vegjël që mendojnë vetëm për karrigen e sotme dhe jo fatet e së nesërmes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›