Notë e korrigjuar në dëftesë, hetim dy mësuesve të gjimnazit
ELBASAN – Policia e Elbasanit nis procedimin penal në gjendje të lirë ndaj drejtorit dhe mësuesit të shkollës së mesme Dhaskal Todri. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh si edhe shpërdorim detyre. Lajmin e bën të ditur zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu, e cila deklaron se procedimi penal ndaj Shpëtim Sulanjakut, 63 vjeç, me detyrë drejtor shkolle, si edhe mësuesit të biologji-kimisë, Robert Domazetit, është bërë në bazë të kallëzimit që ka bërë nxënësi i klasës së 10-të, A.Lila. Ky i fundit ka kallëzuar në polici se dy shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përpiluar dhe manipuluar një dokument zyrtar (dëftesë shkolle) në emër të 16-vjeçarit, ku sipas dy proceduesve, ai nuk e kalonte vitin shkollor, pra ishte mbetës. Nxënësi në vitin e parë ka kallëzuar në polici duke thënë se motivi i kësaj dëftese të falsifikuar është bërë një konflikt i pak javëve më parë mes tij dhe mësuesit Domazeti dhe mbetjen në klasë e cilëson si hakmarrje nga ana e mësuesit. Nga ana e saj, policia ende nuk ka vënë në dijeni për këtë kallëzim dy mësuesit e shkollës së mesme Dhaskal Todri. Drejtori Sulanjaku u shpreh për gazetën se e ka marrë vesh nga media për këtë akuzë të ngritur nga policia. Ai thotë se ka dijeni për rastin në fjalë, pasi në muajin maj ka bërë debat me të atin, punonjës policie. Më 5 maj, stafi pedagogjik ka konstatuar se Lila është ngelës në pesë lëndë, konkretisht në Letërsi, Matematikë, Fizikë, Histori dhe Sociologji. Këtë fakt drejtori i shkollës e ka të ruajtur edhe në bllokun e tij të mbledhjeve ku konstatohet se 16-vjeçari ka qenë ngelës. Gjatë takimit me babanë e nxënësit, drejtori Shpëtim Sulanjaku i ka bërë të ditur se nxënësi është ngelës në pesë lëndë dhe është shumë e vështirë që ta kalojë klasën e dhjetë. Sipas Sulanjakut, në mbledhjen e fundit përpara se të përfundonte viti shkollor, në datë 8 qershor, nxënësi ka rezultuar ngelës në tre lëndë, konkretisht në Matematikë, Fizikë dhe Shkencë Toke. Kur ka marrë dëftesën, nxënësi ka parë se në njërën nga notat ishte bërë një korrigjim, mbi të cilën ka ngritur dhe akuzën. Nga ana e tij, drejtori i shkollës thotë se bëhet fjalë për një gabim njerëzor, pasi nota është e njëjtë me procesverbalin e shkollës. Nxënësit nuk i është bërë asnjë padrejtësi, u shpreh ai. Nga ana e saj, policia tha se po vazhdojnë hetimet dhe po kryhen kontrollet në dokumentacionin e shkollës. m.s