Vdes kleriku i meshës së parë pas diktaturës

Dom Simon Jubani
SHKODER Ndërron jetë në moshën 84-vjeçare, dom Simon Jubani, kleriku që mbajti meshën e parë pas rënies së komunizmit. Humbja e tij, si pasojë e një hemorragjie cerebrale, është njoftuar nga zëdhënësi i Konferencës Ipeshkevore të Shqipërisë, dom Gjergj Meta. Emri i dom Simon Jubanit është i lidhur ngushtë me një proces të rëndësishëm të ringjalljes së Kishës Katolike në vend. Jubani është kleriku që mbajti meshën e parë publike pas rënies së komunizmit në qytetin e Shkodrës, me 4 dhe 11 nëntor 1990. Ai u lind më 8 mars të vitit 1927 në Shkodër, në një familje të devotshme katolike, e cila i fali kishës e atdheut dy meshtarë: martirin e intelektualin dom Lazër Jubani, i cili u helmua me arsenik nga Policia Sekrete komuniste në vitin 1982 dhe të guximshmin dom Simon Jubani. Më 4 maj të vitit 1958 shugurohet meshtar nga imzot Ernest Çoba dhe dërgohet të shërbejë në Abacinë e Mirditës. Arrestohet në vitin 1963 dhe vuan plot 26 vite të burgut. Gjithnjë militant aktiv, ballë për ballë dhe i papërkulur përballë torturave të komunistëve dhe gjithmonë nën vëzhgimin e spiunëve, lirohet më 13 prill të vitit 1989, së bashku me klerikë të tjerë. Më 4 nëntor 1990, në varrezat e Rrmajit në Shkodër u mbajt një meshë me rreth 200 deri në 300 besimtarë katolikë, për të kujtuar shpirtrat e vdekur. Meshën e drejton dom Simon Jubani, ndërkohë që më 11 nëntor, në meshën e mbajtur në këto varreza u mblodhën mijëra njerëz, pavarësisht nga besimi, e cila pati një jehonë të madhe jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë e jashtë saj. Dom Simon Jubani, meshtar katolik para 20 vjetësh, kremtoi meshën e parë katolike në Shkodër duke sfiduar terrorin e diktaturës komuniste e bëri të shpërthente fuqia e lirisë mbi diktaturën, fuqia e së mirës mbi të keqen, e dashurisë e vëllazërimit mbi urrejtjen e përçarjen. Ai u bë kështu nismëtari i rihapjes së kishave e xhamive në Shqipëri, kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar. r.d
Jubani, titull Doctor Honoris Causa
Për kontributin e çmueshëm mbarëkombëtar, Universiteti i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991 i akordoi Jubanit diplomën Doctor Honoris Causa në shkenca humane me motivacion: Protagonist i një epoke të re në Shqipëri. Pas komunizmit, ai shërbeu për disa vite përsëri në malet e Mirditës dhe dekadën e fundit me përkushtim të madh dhe besnikëri shërbeu në përvujtërinë e rrëfyestores së Katedrales së Shkodrës.