E Diel, 1 Nëntor 2026

Noterët e Kosovës së shpejti do të anëtarësohen në UNN-në

Sistemi i Noterisë së Kosovës ka gjasë që deri në tetor të anëtarësohet në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë. Ende pa i mbushur një vit të plotë nga aplikimi i këtij shërbimi, fjalë të mira kanë ardhur nga Instituti Ndërkombëtar për Studime të Avancuara të Noterisë.

Zëvendëspresidenti i institutit Domenicue Savoure pas takimit me Ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi ka thënë se sistemi noterial i Kosovës mund të merret si model për shumë vende të tjera, transmeton KTV. Savoure i cili bashkë me ekipin e tij po inspekton sistemin noterial në Kosovë ka thënë se do të ketë edhe shumë vizita e inspektime të tjera dhe në fund do të bëhet raporti i përgjithshëm për punën e sistemit të noterisë, por sipas tij nuk po vërehet që do të mund të ketë kushte shtesë meqë ky sistem po funksionon shumë mirë në Kosovë.

“Sistemi kërkon plotësimin e disa vlerave, vlerën e sigurisë, duhet t’i ofrohet të gjithë qytetarëve siguri juridike, duhet të luftohet kundër korrupsionit dhe shpëlarjes së parave. Duke i respektuar këto vlera, sistemi noterial i Kosovës do të jetë së shpejti anëtare e Unionit të noterisë ndërkombëtare”, ka thënë ai. Ndërkohë Ministri Kuçi tha se duhet përmirësuar sistemin e noterisë dhe ka premtuar se do t’i kryejnë të gjitha obligimet që i takojnë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›