E Diel, 1 Nëntor 2026

Novi: Në Elbasan, luftë për rezultat pozitiv

Nga Sokrat Papadhopulli

Numri 2 i stolit gjirokastrit, Neritan Novi, beson se në Ruzhdi Bizhuta luhet futboll i bukur dhe shanset për pikë janë të mëdha  

Elbasani është i vetmi ekip në kategorinë e parë me 2 tituj kampion në superiore, ndërsa Luftëtari ka arritur vetëm një herë të dalë nënkampion. Interesant është fakti se, kur Labinoti (sot Elbasani) shpallej për herë të parë kampion sezonin 1983-1984, Luftëtari, në ndeshjen e fundit të sezonit,  i prishi madhështinë e festimeve,  teksa i shkaktoi një humbje të thellë, 0-3.

Atëherë Luftëtari shkoi në Elbasan me objektivin për të qëndruar në kategori dhe ia arriti qëllimit, kurse tani shkon me objektivin për të dalë në kategorinë superiore, ndaj i duhet përsëri fitorja, rezultat që e kërkon edhe ekipi vendës për të pretenduar edhe ai superligën.

Ish-ët Nevil Dede, sezonin 2005-2006, së bashku me Arlind Norën, u shpallën kampionë superlige me Elbasanin, ku fazën e parë kishin bashkëpunëtor edhe Bledar Devollin. Sot i pari komandon formacionin e Argjirosë, në përpjekje për të zaptuar kalanë e Elbasanit pa pjesëmarrjen në këtë mësymje të tankut gjirokastrit, Devollit, si dhe topçiut Nora, të cilët janë plagosur në betejat paraardhëse me kartonë. Në këtë kryqëzatë Luftëtarit do ti mungojnë edhe ushtarë të tjerë të artilerisë së rëndë, por, sidoqoftë, trajneri Dede ka mundësi të nxjerrë një ekip luftarak edhe për këtë duel.

Novi Trajneri i dytë i Luftëtarit, Neritan Novi, për ndeshjen e sotme shprehet: Në Elbasan nuk shkojmë për shëtitje. Edhe pse kemi disa mungesa titullarësh, do të luftojmë për një rezultat sa më të mirë, sepse në përbërje të ekipit kemi 20 futbollistë.

Shkojmë në stadiumin Ruzhdi Bizhuta si kryesues të kategorisë së parë dhe nuk kemi asnjë arsye pse të trembemi, edhe pse Elbasani është ekip me tradita në futbollin tonë kombëtar. Në Elbasan luhet futboll, ekipi vendës të lejon të luash, sikundër ndodh edhe në Gjirokastër,  ku dhe ai ka pasur raste që ka fituar. Them se do të jetë një ndeshje  e bukur dhe rezultatin le tia lëmë fushës së betejës

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›