Lushnja, e karikuar nga të gjitha anët për sfidën e Lezhës
Stafi teknik e ka të plotë formacionin titullar, ndërsa presidenca dhe donatorë të tjerë kanë garantuar një shpërblim ekstra për një fitore të mundshme
Skuadra lushnjare po përgatitet për një tjetër ndeshje përcaktuese në rrugën e saj drejt superligës. Java e 20-të e kampionatit i impenjon verdhejeshilët e drejtuar nga trajneri Sajmir Malko në transfertën me Besëlidhjes, një rival i drejtpërdrejtë në garën për në superiore. Kësaj sfide i ka shërbyer java stërvitore, si dhe një ndeshje miqësore, që kanë zhvilluar të rinjtë e Lushnjës dhe stafi drejtues mund të marrë nga ata që e kanë treguar veten.
Trajneri Sajmir Malko i ka në dispozicion të gjithë futbollistët e formacionit, të cilët gjatë kësaj jave kanë treguar një formë të shkëlqyer sportive. Nga ana tjetër, edhe ata që janë në stol e bëjnë skuadrën lushnjare të jetë më e motivuar për këtë finale. Lezhjanët nga ana e tyre janë shprehur se do ta fitojnë patjetër këtë ndeshje, por edhe futbollistët lushnjarë kanë besim në forcat e tyre për të mos dalë pa pikë nga stadiumi Besëlidhja.
Shpërblimi Kjo ndeshje është vlerësuar edhe nga presidenca lushnjare, që e ka grumbulluar skuadrën një ditë para, por nuk përfundon me kaq. Përveç shpërblimit të garantuar nga këshilli bashkiak në rast fitoreje jashtë fushe, që kap vlerën e 25 mijë lekëve për çdo lojtar, ka edhe të tjerë sponsorë. Disa biznesmenë lushnjarë janë afruar pranë skuadrës dhe do të japin shpërbim ekstra për fitoren në Lezhë.
Tifozët Edhe lojtari i 12-të, tifozëria lushnjare, është deklaruar për mbështetje të fuqishme për skuadrën e zemrës në stadiumin e Lezhës. Lushnjarët janë nisur që dje pasdite drejt Lezhës për tu sistemuar në një hotel, ku do të qëndrojë për 24 orë larg presioneve deri në fillim të ndeshjes. Kjo nuk është hera e parë që klubit lushnjar i krijohen kushtet e duhura para një ndeshjeje. Trajneri Malko dhe ndihëmsi i tij Çuko do ta bëjnë sot ti bëjnë sot të ditur emrat e 11 futbollistëve titullarë.
