Nufi: Buxheti për KAYO-n tre milionë euro, përfitimet deri në 2032 mund të jenë 400 milionë euro

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi sot një interpelancë me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, për aktivitetin e shoqërisë shtetërore KAYO.
Ministri tha se që nga themelimi në tetor 2024, financimi shtetëror për KAYO ka qenë rreth 3 milionë euro. Ndërkohë, investimet kryesore në katër kompani të krijuara në partneritet vijnë nga kapitali privat.
“Ngritja e një shoqërie që rijetëzon industrinë ushtarake shikohet me dyshim dhe dritëhije për shkak se kjo shoqëri funksionon me partnerë privat. Patjetër që funksionon me partnerë privat sepse janë ata që investojnë kapitale që nga themelimi i shoqërisë KAYO në tetor 2024, i gjithë kapitali i buxhetit të shtetit për shoqërinë është 3 milionë euro, nga të cilat 33% e tyre janë shpenzuar për mbajtjen e stafit pagave dhe operacioneve bazike të shoqërisë”, sqaroi Nufi.
“Të gjitha investimet e tjera për të katër kompanitë e krijuara vijnë nga kapitali privat. Shoqëria ka dhe dy partneritete me partnerë ndërkombëtarë. Sot ne po rikthejmë shkollën e Aviacionit që djemtë dhe vajzat në Republikës së Shqipërisë, të marrin një arsimim dhe në këtë fushë. E dyta lidhet me krijimin dhe prodhimin, me një marrëveshje me shtetin e Izraelit, prodhimin e dronëve luftarakë të teknologjisë së fundit. Janë katër kompani të krijuara në partneritet me KAYO-n. Qëllimi nuk është që t’i japë këtyre kompanive në pronësi asete shtetërore. Ka një ndalim të qartë në ligj. Çdo pretendim i kundërt është në kundërshtim me ligjin”, tha ai.
Nufi u shpreh Shqipëria, sot me KAYO-n po krijon një shtrat që të prodhojë në Republikën e Shqipërisë dhe jo të jetë e varur nga importi.
“Tani flasim për kompaninë TIMAK Defence, ka pasur një rrugëtim interesant në prodhimin e autoambulancave dhe ka hyrë në bashkëpunim me shoqërinë KAYO për prodhimin e autoblindave ushtarake, duke prodhuar dhe prototipin e parë ushtarak “Shotën”, me të cilën krenohemi. Sot jo vetëm që prodhojmë një prototip por jemi duke prodhuar edhe sisteme komplekse kundër dronëve që të garantojmë sigurinë e Republikës së Shqipërisë”, tha Nufi.
“Shoqëria MKD, linjat e prodhimit që shoqëria MKD ka janë të fjalës së fundit. Sot prodhimi mban certifikata evropiane. Është bërë një punë që të shndërrojmë jo vetëm Forcat e Armatosura, por gjithë skenarin e prodhimit në një element sigurie. Kompania Guna Tactical prodhon veshjet e sigurisë, pajisje mjete për FA dhe jo vetëm Shoqërinë AAT, e cila prodhon armë dhe këto armë”, tha ai.
Përkundrejt pretendimeve për shoqërinë KAYO, ministri foli me shifra.
“E para TIMAK Defence ka një angazhim jo më pak se 15 milionë euro dhe në këto tre vite të punësojë 150 persona Shoqëri AMKD investimi është 60 milionë euro dhe krihet me kapitale private. Punësimi i realizuar në këto do të jetë ter vite 150 njerëz. Guna, flasim për një investim jo më pak se 15 milionë euro investim, për linjat më të fundit të veshjeve ushtarake, të cilat jo vetëm që do të prodhohen në Shqipëri pro parashikojnë një punësim prej 650 personash”, tha ai.
Nufi tha gjithashtu se investimet e planifikuara arrijnë në qindra milionë euro, me projekte si ai me Fincantieri që parashikon deri në 1.2 miliardë euro dhe rreth 400 vende pune.
“Angazhimi ynë me palën italiane me Fincantierin për krijimin e mjeteve lundruese. Jemi shumë afër nënshkrimit të kontratës, që me nënshkrimin ka një plan biznesi shumë ambicioz me vlerën 1.2 miliardë euro dhe parashikon 400 vende pune për prodhimin e këtyre mjeteve lundruese”, tha Nufi.
“Angazhimi i shoqërisë KAYO është 3 milionë euro, ndërsa përfitueshmëria janë mbi 1000 vende punë dhe janë plane biznesi të cilat kalojnë në shifra që mund të jenë deri në vitin 2031, 2032 deri në 300-400 milionë euro përfitime për shtetin shqiptar”, tha Nufi.
/m.q/j.p/