Përjashtimi i deputetit Boçi, PD dhe PL braktisin seancën plenare

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Seanca plenare në Kuvend u shoqërua me tensione dhe debate, ku deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, u përjashtua pas një përplasjeje me drejtuesin e seancës.
Debati nisi pas replikës së ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, kur Boçi kërkoi të marrë fjalën.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, sqaroi se deputeti nuk ishte përmendur në diskutim dhe, sipas rregullores, nuk kishte të drejtë replike.
“Nuk merret fjala kështu. Fjala jepet sipas rregullores”, u shpreh Peleshi, duke i kërkuar deputetit të lirojë foltoren.
Pavarësisht kërkesës, Boçi u rikthye në foltore, çka solli ndërhyrjen e drejtuesit të seancës dhe marrjen e masave disiplinore. Fillimisht iu tërhoq vëmendja dhe iu dha vërejtje, ndërsa më pas u vendos përjashtimi i tij nga seanca.
Seanca u ndërpre për disa minuta. Me rifillimin e saj, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, mori fjalën në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe u shpreh se opozita do ta braktisi seancën nëse Kuvendi do të vazhdoj punimet normalisht, pa ju dhënë fjala për replikë deputetit Boçi.
“Në solidaritet me deputetin Boçi, opozita do ta largohemi nga kjo sallë. Nuk mund të ketë seancë normale kur ka shkelje të rregullores së Kuvendit. Dhe përjashtimit z. Boçi, pasi kërkoi fjalën për replikë është shkelje e rregullores” tha ai.
Këlliçi i kërkoi Kreut të Kuvendit reflektim për të lejuar deputetin Luçiano Boçi të replikonte, por pasi kërkesa nuk është pranuar deputetët e PD-së braktisën seancën plenare.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi u shpreh se nuk ka shkelje të rregullores. “Fjala u kërkua pa shkak dhe fjalori i përdorur nga z Boçi çoi në marrjen e tre masave ndëshkimore e mandej përjashtimit të tij. Jam duke respektuar rregulloren në çdo pikë dhe rigorozitet”, tha Peleshi.
Pas kësaj deputetët e grupit parlamentar të PD dhe PL u larguan nga seanca plenare, teksa punimet vijuan normalisht.
/gj.m/a.f/