Rexhep Qosja, akademiku më me ndikim në hapësirën mbarëshqiptare

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Rexhep Qosja, i ndarë sot nga jeta në moshën 89-vjeçare, ishte një ndër intelektualët më me ndikim në hapësirën mbarëshqiptare, me një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsi, kritikë letrare, histori dhe çështje kombëtare.
Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, Rexhep Qosja ka qenë autor i dhjetëra veprave, përfshirë romane, ese dhe studime shkencore, duke lënë gjurmë të thella në kulturën shqiptare. Njihej për qëndrimet e tij të forta publike dhe angazhimin në debatet shoqërore e politike.
Rexhep Qosja lindi në Vuthaj të Malit të Zi më 1936. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Vuthaj dhe në Guci.
Në Prishtinë, kreu Shkollën Normale, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më 1967 filloi punë si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa më 1968-69 kreu studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.
Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Ngjiti shkallët e karrierës duke u bere fillimisht bashkëpunëtor i lartë dhe më pas vijoi si këshilltar shkencor në këtë institut, profesor inordinar dhe më pas profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Në periudhën 1972-1981 ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik, pastaj shef disavjeçar i degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik, si dhe kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”. Veprat e para i botoi nga fusha e kritikës.
Rexhep Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me Shpërblimin e qytetit të Prishtinës më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë, “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijtë e askujt”, etj.
Në mars të vitit 2025 Qosja u nderua me çmimin “Letërsia shqipe” nga Ministria e Kulturës, si njëri prej ndikuesve më të mëdhenj të letërsisë shqipe.
Qosja është marrë edhe me veprimtari politike, duke drejtuar një parti politike në Kosovë, për periudhën 1998-2000. Në vitin 2000, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. /j.p/