E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi: Deklaratat e ministres serbe për Kosovën, të papranueshme

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç në lidhje me spastrimin etnik në Kosovë, janë skandaloze dhe të papranueshme.

I pyetur në një konferencë për shtyp për këtë deklaratë, Nufi u shpreh se nuk ka nevojë për shumë komente për natyrën e kësaj deklarate, pasi ajo është e skandaloze dhe e papranueshme.

“Besoj që çdo koment mbi natyrën e asaj deklarate, përveç këtyre dy fjalëve, është i pavend. Është e papranueshme sot që të ketë një deklaratë të tillë. Këtë qëndrim e ka shprehur kryeministri, e ka shprehur edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Unë, si ministër i Mbrojtjes, bashkohem plotësisht me qëndrimin e kryeministrit”, tha Nufi.

Ministri theksoi se deklarata të tilla nuk kanë vend në një shoqëri që synon të ecë drejt vlerave evropiane dhe vlerësoi reagimet e atyre qytetarëve serbë që distancohen nga retorika nacionaliste.

“Është e papranueshme që sot ne të kemi një deklaratë të tillë. Besoj që edhe vetë reagimi në Serbi ka treguar se edhe atje njerëzit e arsyes dhe ata që nuk bëjnë pjesë te ultranacionalistët vazhdojnë të kenë atë qëndrim evropian që ne duam të shohim nga pala serbe”, u shpreh ai.

Nufi nënvizoi se çdo deklaratë që lidhet me spastrim etnik apo nxitje të urrejtjes rikthen kujtime të dhimbshme nga e kaluara e rajonit.

“Është e papranueshme çdo lloj deklarate që lidhet me kombin, me spastrime etnike apo me ngjarje që i bëjnë referencë një të shkuare shumë të hidhur dhe një periudhe shumë të errët, sidomos asaj ku ne jemi vetë dëshmitarë: vitit 1999, asaj që ka ndodhur në Kosovë, por edhe asaj që ka ndodhur në Bosnjë-Hercegovinë dhe në ish-Jugosllavi”, tha ministri.

Sipas tij, çdo retorikë e kësaj natyre është e papranueshme dhe duhet dënuar nga të gjithë.

“Çdo retorikë e kësaj natyre është e papranueshme, është e dënueshme dhe është në nderin e gjithë atyre që e kanë pasur në kurriz ta denoncojnë dhe të distancohen prej saj. Ky është qëndrimi ynë i prerë. Çdo lloj përkrahjeje apo çdo lloj heshtjeje përballë një deklarate të tillë është po aq vrastare”, përfundoi Nufi.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›