Qytetarët në ditën e 52-të të protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë po vijojnë protestën maratonë kundër investimit në Zvërnec.
Për të 52-tën ditë radhazi qytetarët po protestojnë duke kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor, si dhe politikave që lidhen me zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë nisur marshimin në drejtim të Kryeministrisë.
Me pankarta në duar protesuesit përsëritën kërkesat për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Një qytetar i pranishëm në protestë kritikoi qeverinë për mënyrën e menaxhimit të fondeve publike, duke theksuar se prioritetet janë vendosur gabim.
“Kryeministri tha se shqiptarët janë në gjendje të mirë, por shqiptarët janë në mbijetesë. 4.2 milionë euro dolën nga buxheti i shtetit për t’ia dhënë Kanye West, ndërsa spitalet janë lënë pa ilaçe”, u shpreh ai.
Një nga aktivistët kritikoi politikat e qeverisë për pronat dhe tokat bujqësore, duke pretenduar se vendi po përballet me një proces të shitjes së pasurive.
“Sot kryeministri tha që nuk tërhiqem nga Paketa e Maleve, tha do ta bëj si Zvicra. Kush do t’i marrë tokat? Shqipëria është shpopulluar. E sfidoj kryeministrin të shkojë në fshatin tim në krahinën e Tepelenës, nuk ka rrugë, nuk ka drita nuk ka ujë, nuk ka shërbime, por mbi të gjitha nuk ka njerëz. Atëherë kryeministër, kush do t’i marrë këto toka? Para disa ditësh u kalua edhe një ligj për shitjen e tokave bujqësore. Gjithë Shqipëria është në shitje, kryeministri bën sehir. Duhet të jepni dorëheqjen”, tha ai.
Një tjetër protestues akuzoi qeverinë se po dëmton interesat e banorëve të zonave rurale, ndërsa bëri thirrje për një hetim më të gjerë ndaj klasës politike.
“I vjedh pasuritë çdo ditë fshatarëve. Klasa politike 35-vjeçare duhet të futet në sitën e krimit ekonomik”, deklaroi protestuesi. Një i moshuar nga Martaneshi deklaroi se ai është në protestë sepse duhet të largohet Rama dhe t’i jepet mundësia një rruge të re. Ai tha se shqiptarët duhet të mblidhen nga Vermoshi në Konispol. “I bëj thirrje popullit nga Vermoshi në Konispol ta heqim këtë përgjegjësi dhe të krijohet një rrugë e re. Jam nga Martaneshi që iu morën pasuritë minerare dhe fëmijët janë rrugëve të botës”, tha ai.Një tjetër protestues komentoi bashkëbisedimin e kryeministrit me banorët e Thethit mbi Paketën e Maleve, ndërsa u shpreh se Rama u kthye në një zonë ku institucionet nuk kanë funksionuar dhe ku qeveria ka dështuar në menaxhimin e situatës.
“Kryeministri ynë u kthye në vendin e krimit. U kthye aty ku shkatërroi, në vendin ku institucionet nuk funksionuan. Protesta e 23 Korrikut duhet të na bashkojë përpara një Parlamenti të inkriminuar, me njerëz pa dinjitet që nuk përfaqëson asgjë”, u shpreh ai.
Pas fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, ka nisur marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës. 1 nga 13