Nufi: Kapacitetet për përballimin e zjarreve janë rritur ndjeshëm, jemi në monitorim të plotë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se kapacitetet e vendit për përballimin e situatave të zjarreve janë rritur ndjeshëm, si në nivel vendor, ashtu edhe në strukturat qendrore të angazhuara për menaxhimin e emergjencave civile.
I pyetur në një konferencë për shtyp për situatën e zjarreve në vend, Nufi u shpreh se investimet në kapacitete njerëzore dhe teknike kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të gatishmërisë për ndërhyrje.
“Sa i përket situatës së zjarreve, kapacitetet janë shtuar ndjeshëm. Ka një investim jo vetëm në nivel vendor, por edhe te Forcat e Armatosura, te kapacitetet që kemi në BMEC (Baza e Mbështetjes për Emergjencat Civile), apo edhe te të gjitha strukturat e tjera që merren me menaxhimin e emergjencave civile”, tha Nufi.
Ministri theksoi se Shqipëria ka sot kapacitete të konsoliduara për ndërhyrje si nga toka, ashtu edhe nga ajri.
“Kemi një situatë jashtëzakonisht shumë të mirë sa i përket kapaciteteve konkrete që kemi në Republikën e Shqipërisë, si fizike në ndërhyrjet nga toka, por edhe ndërhyrjet nga ajri”, u shpreh ai.
Sipas Nufit, ky vit mund të konsiderohet ndër më të mirët për sa i përket gatishmërisë së kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve.
“Besoj që mund të konsiderohet viti më i mirë për gatishmërinë e Forcave Ajrore për shuarjen e zjarreve. Shumë shpejt do të kemi në Republikën e Shqipërisë avionët që qeveria shqiptare ka kontraktuar, në mënyrë që të jenë operacionalë”, deklaroi ministri.
Ai bëri të ditur se kapacitetet e angazhuara deri tani kanë dhënë rezultat dhe se situata e zjarreve është menaxhuar me sukses.
“Besoj që të gjitha këto kapacitete deri tani kanë dhënë rezultat dhe janë menaxhuar të gjitha zjarret. Deri dje në darkë nuk kemi pasur asnjë zjarr aktiv”, tha Nufi.
Ministri bëri të ditur se ndjekja e situatës bëhet në mënyrë të vazhdueshme përmes raporteve ditore të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), si dhe në koordinim me strukturat përgjegjëse.
“Unë marr çdo ditë informacion nga AKMC, raport ditor, raport konkret për çdo situatë zjarri në ndjekje, si me drejtorin, ashtu edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm në momentin kur aktivizohen forcat tona”, u shpreh ai.
Nufi garantoi se angazhimi i strukturave shtetërore është maksimal, duke nisur nga njësitë e qeverisjes vendore, deri te strukturat qendrore dhe Forcat e Armatosura.
“Ju garantoj që qeveria shqiptare, qoftë në nivel vendor, për anën që ka të bëjë me përgjigjen e parë që vjen nga bashkitë, por edhe pjesën që na takon ne në qeverinë qendrore për angazhimin e trupave tona, është maksimale në kohë reale”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se koordinimi me prefektët dhe aktivizimi i AKMC-së dhe Forcave të Armatosura bëhet sipas nevojës, me synim menaxhimin dhe shuarjen e plotë të çdo vatre zjarri.
“Vëmendja është 100% deri në mitigimin e plotë të situatës së zjarrit, shuarjes së tij. Raportohet që zjarri u shua dhe cilat janë pasojat apo masat e marra. Jemi në ndjekje të plotë. Deri dje kemi pasur një rezultat shumë të mirë”, përfundoi Nufi.
/gj.m/j.p/