Nufi: Pezullohen dy efektivë të Policisë Ushtarake pas ngjarjes në Vlorë

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi reagoi sot në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Vlorë, ku dy biznesmenë u konfliktuan mes tyre në Radhimë (Vlorë).
Sipas raportimeve në disa portale, në këtë ngjarje dyshohet se u përfshinë edhe dy efektivë të Policisë Ushtarake.
Ministri Nufi, në një reagim zyrtar sot, bën me dije se “në lidhje me raportimet e disa portaleve për përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë, e konsideroj të nevojshme të sqaroj opinionin publik se këta persona nuk janë truproja apo badigardë personalë”.
“Ata janë pjesë e Policisë Ushtarake, strukturë e Forcave të Armatosura me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj. Efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe në periudha të ndryshme prej vitit 2018-të, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin”, tha Nufi.
Sipas Nufit, asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e ngjarjes në Vlorë.
Ministri Nufi theksoi se “çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale”.
“Ministria e Mbrojtjes distancohet qartësisht nga çdo veprim i paligjshëm dhe respekton plotësisht hetimin e organeve ligjzbatuese. Përgjegjësia individuale dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm nga autoritetet kompetente, në përputhje me ligjin”, vijoi ai.
“Deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake. Ministria e Mbrojtjes mbetet e vendosur për respektimin e ligjit, disiplinës dhe integritetit profesional nga çdo efektiv dhe punonjës i strukturave të saj. Uniforma, autoriteti dhe detyra shtetërore nuk mund të përdoren për qëllime personale apo jashtë kuadrit ligjor”, theksoi Nufi, ndërsa shtoi se çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
/e.i/r.e/