E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuhiu: Futbollistët e Tiranës lanë zemrën në fushë, nuk dua të flas për penalltitë e arbitrat

Pas një serie humbjesh, Tirana mori një pikë në Durrës, ku barazoi 1-1 ndaj Teutës. Në këtë ndeshje të transmetuar direkt në RTSH, pati edhe një episod të pazakontë, kur kryeqytetasit dolën me vonesë në fushë për pjesën e dytë, në shenjë proteste për gjykimin.

Pas ndeshjes, trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu, e komentoi shkurt momentin e penalltisë në favor të Teutës dhe theksoi se të tijtë lanë zemrën në fushë: “Mua më takon pjesa taktike, dua të përgëzoj futbollistët për shpirtin e lojës. Perfektë për sa i përket anës taktike.

Më vjen keq për episodin e ndodhur, vlerësojeni vetë. Nuk dua të komentoj penalltitë apo arbitrat. Më vjen keq për futbollistët, sepse lanë zemrën në fushë. Normalisht, e studiojmë kundërshtarin. Mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur Teutës ishte sistemi që paraqitëm në fushë. Kjo më jep të drejtë, pasi kundërshtari nuk na rrezikoi në asnjë moment.

Futbollistët ishin të kujdesshëm dhe e implementuan mirë sistemin, duke shfrytëzuar shpejtësinë. Ishin mjaft të kujdesshëm edhe me rikuperimet e topave”, – tha trajneri Nuhiu për RTSH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›