E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk dalim në protesta për shkak të krizës ekonomike (INTERVISTË)

Ilir Beqja

Denis Dedej

Një prej zyrtarëve të Partisë Socialiste, deputeti Ilir Beqja, duke analizuar raportin e OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 8 majit kërkon që personat që sollën situatën e pasqyruar edhe nga ndërkombëtarët të mbajnë përgjegjësitë politike dhe juridike. Në një intervistë për gazetën Shekulli ai shpreh nevojën e një qeverie teknike që të organizojë zgjedhjet e ardhshme. Kjo qeveri, sipas tij, duhet të ngrihet në periudhën shtator 2012 – qershor 2013.

Zoti Beqja, në raportin e OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 8 majit evidentohen një sërë problematikash që lidhen me këto zgjedhje. Si e komentoni ju këtë raport?

Raporti i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 është i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Është në koherencë të plotë me atë çfarë shqiptarët kanë parë e dëgjuar live, me çfarë kemi konstatuar, deklaruar dhe denoncuar ne në Partinë Socialiste si dhe është sinkron me parashtresat e ekipit juridik të PS-së gjatë procesit të ankimimeve në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor. Njëherazi është aktakuza më e plotë për përgjegjësitë politike dhe juridike të atyre që bënë që edhe në vitin 2011 Shqipëria të mos ia dalë të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Këta janë të shumtë, por përmbledhtazi janë 4 emra individësh, Sali Berisha, Arben Ristani, Sashenka Jonuzi dhe Tom Ndreca. Është edhe zhvlerësim i përpjekjeve mjerane të pseudojuristëve dhe pseudoanalistëve sahanlëpirës të pushtetit për të përligjur vjedhjen në tavolinë të mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Ky raport, provoi se sa e drejtë dhe parimore ka qenë kauza jonë në këta dy vjet për votën e lirë. Përpjekjet dhe sakrificat edhe sublime të këtyre dy vjetëve për këtë kauzë më bëjnë të ndjehem i qetë në zgjedhjen që kam bërë dhe më nxisin të jem më i vendosur dhe këmbëngulës në vazhdimin e përpjekjeve deri në kurorëzim të kauzës.

Duke pasur parasysh situatën e krijuar dhe problemet e shfaqura në zgjedhjet e fundit vendore, kush mban përgjegjësi për këtë gjendje?

Përgjegjësitë janë politike dhe juridike. Përgjegjësitë i kanë, së pari, ata që janë të ngarkuar me ligj për të organizuar dhe mbështetur procesin zgjedhor. Këta janë vetë Sali Berisha si dhe njerëz të emëruar prej tij apo të zgjedhur nga shumica e tij parlamentare.

Pas publikimit të raportit të OSBE/ODHIR, PS ka të drejtën legjitime të mos njohë zgjedhjet në bashkinë e Tiranës dhe të nxisë refuzim masiv ndaj qeverisjes së Saliut si arkitekti i vjedhjes së votës së lirë në Tiranë.

Por vendi ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike, integrimi europian është në vendnumëro dhe për rrjedhojë, përgjegjësia e situatës si forca më e madhe politike në vend duhet të na bëjë që të kërkojmë zgjidhje politike të situatës. Zgjidhje politike e situatës, sipas mendimit tim, është që Sali Berisha të marrë koston politike të vjedhjes që bëri.

Si mundet që kryeministri Berisha të marrë koston politike?

Nëse PS nuk kërkon zgjedhje të parakohshme dhe i lejon PD-së të përfundojë mandatin 4-vjeçar parlamentar, kjo nuk do të thotë që edhe në këta dy vjet vendi duhet të vazhdojë të qeveriset nga Sali Berisha. Të paktën në periudhën shtator 2012 – qershor 2013 vendi duhet të drejtohet nga një qeveri teknike që do të organizojë zgjedhjet.

Raporti i OSBE/ODHIR provoi botërisht dhe konfirmoi ndërkombëtarisht se Saliu nuk është në gjendje të jetë edhe lojtar në zgjedhje edhe arbitër i paanshëm. Kjo është kostoja e parë politike që Saliu duhet të paguajë për vjedhjen në Tiranë.

Duke mos qeverisur në vitin e 4 të mandatit parlamentar, PD-së i mbeten edhe 12 muaj për të realizuar programin qeverisës të shtator 2009, nëse kanë pasur ndonjëherë qëllimin për ta realizuar. Kjo duhet të jetë kostoja e dytë politike.

Ndërkohë, është provuar disa herë në 3-4 vitet e fundit se mazhoranca e Saliut e keqpërdor votën e shumicës kur është fjala për të zgjedhur përfaqësues apo drejtues institucionesh të pavarura.

Për rrjedhojë, Saliu nuk duhet lejuar të shfrytëzojë shumicën parlamentare për të zgjedhur këtë vjeshtë drejtuesit më të lartë të financave të vendit (Bankë Qendrore, Autoritet i Mbikëqyrjes Financiare, Kontrolli i Lartë i Shtetit) apo të institucioneve të drejtësisë. Kjo duhet të jetë një kosto e tretë politike.

Bashkë me të tjera që duhet të formulohen në forumet e PS-së, këto duhet jenë kushtet paraprake të PS-së për të filluar bashkëpunimin politik në të mirë të integrimit europian të Shqipërisë dhe të instalimit të institucionit të votës së lirë e të ndershme. Situata është specifike. Nuk e zgjedh dot kundërshtarin edhe kur botërisht ai është i përkufizuar si hajdut.

Sado qofshin kushtet e PS-së nuk janë asgjë me të keqen që Saliu i ka bërë e vazhdon ti bëjë Shqipërisë. Të paktën, janë kushte që burojnë nga arsyeja dhe etika.

Nga ana tjetër, në raport evidentohen dhe një sërë kritikash ndaj KQZ, që kanë të bëjnë me vendimmarrjen politike. A keni një koment për këtë institucion?

Shumica politike e PD-së në KQZ është dora ekzekutuese e vjedhjes së zgjedhjeve në Tiranë. Raporti thotë qartë se në mënyrë të pakuptimtë disa kuti me fletë votimi kishin mbërritur në mjediset e KQZ para diskutimit të aktit normativ. Kaq duhet të mjaftojë që Prokuroria të fillojë hetimet kryesisht, se kush e shkeli ligjin dhe kush e shpërdoroi detyrën. Dhe hetimet duhet të shtrihen deri në periudhën e organizmit të zgjedhjeve të vitit 2009.

Rikujtoj që për 9 nga 66 vendnumërime votash nuk kanë ekzistuar asnjë herë kopjet e fillimit të procesit të numërimit. Përgjegjësia juridike dhe penale e KQZ-së duhet të jetë shteruese edhe në funksion të çinstalimit të institucionit të pandëshkueshmirisë. Nuk mund të tolerohet më arroganca e Arben Ristanit siç vazhdoi të demonstrojë edhe para disa ditësh në rastin e diskutimeve për komunën Shalë.

Përgjegjësia duhet të shtrihet edhe tek anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Këta individë nuk duhet të lejohen të jenë pjesë e gjyqësorit shqiptar. Kanë bërë zgjedhjen tyre dhe duhet të ndëshkohen për çfarë bënë, por edhe që të tjerë të mendohen më shumë para se të japin padrejtësi.

Edhe këto duhet të jenë pjesë e kushteve të PS.

Politika shqiptare ndodhet në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar. Cili duhet të jetë qëndrimi dhe aksioni që duhet të ndjekë opozita shqiptare?

Pasi kemi përfunduar një cikël qëndrese dy vjeçare, pasi jemi rikonfirmuar forcë e parë në vend, pasi kemi provuar se Saliu është hajdut i votës së lirë, në gjysmën e dytë të këtij mandati politik duhet të zhvillojmë dhe shpalosim edhe alternativën tonë.

Duke vazhduar të denoncojmë dhe demaskojmë zullumet e Saliut, duhet paralelisht të fillojmë të paraqesim edhe alternativën tonë, edhe në formë ligjore. Pa asnjë kompleks për mungesën  e numrave të Kuvend. Edhe propozimet ligjore janë pjesë e alternativës për të cilën do të kërkojmë të votohemi në 2013. Në këtë proces do të vijë në ndihmë edhe programi i partisë që po punojmë e që do të miratojmë në kongresin e 5 nëntorit 2011.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar që të PD-PS të punojnë sëbashku për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Çfarë duhet të ndryshojë në të dhe roli duhet të ketë opozita në të?

Është kërkesë e ndërkombëtarëve por edhe nuk mund të jetë ndryshe. Derisa kemi pranuar sistemin demokratik duhet të pranojmë kundërshtarin që është përballë. Ekzistojnë dy raporte të OSBE/ODHIR me rekomandime të qarta  dhe jo të pakta. Ato janë detyra e shtëpisë. Megjithatë, nëse kundërshtari ulet në tavolinë me logjikën e ha

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›