E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk do përkulemi përballë dhunës për pak qetësi”- Tirana në flakë prej tre ditësh, Rama nuk tërhiqet: Është një dorë e vjetër që mbështetet nga duar të huaja! Durim, do dalim më të fortë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestën, duke mos u tërhequr dhe duke deklaruar se “nuk do të përkulet përballë dhunës për pak qetësi”. Nga nje kioskë që një ditë më parë u dogj, Rama tha se dhuna në rrugë nuk përfaqëson studentët dhe shqetësimet e tyre.

edi rama ok

Kryeministri gjeti sërish fajtorë dhe akuzoi opozitën dhe disa forca të huaja që kanë dorë në proteste për të penguar rrugën europiane të Shqipërisë.

Kreu i qeverisë vuri në pikëpyetje përfshirjen e studentëve në përplasjet me policinë dhe duke e cilësuar situatën si një përpjekje për të marrë peng qytetin.

“Si mund të jenë studentët? Si mund të jetë investimi i prindërve tek fëmijët e tyre kjo gërmadhë? Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit me maska nuk ka të bëjë fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që do një jetë më të mirë. E gjitha kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë dhe që është gati ta djegë e shkatërrojë përsëri për të mos e lënë të bëjë përpara në një luftë qorre ku urrejtja, urrejtja më e verbër dhe ku flakët e ndasisë janë e vetmja dritë arsyeje. Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng qytetin gjatë ditës nuk janë studentët dhe as ata që pastaj në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore nuk kanë të bëjnë fare me ju. Nuk kanë të bëjë fare me problemet tuaja, nuk kanë të bëjë fare me zgjidhjet që ju keni nevojë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te përfshirja e të miturve në protesta, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e tyre gjatë përplasjeve.

“Si mund të nxirren të miturit në rrugë? Si mund të nxiten të miturit, të vënë maska, të shkulin trotuaret që shtrohen dhe mirëmbahen përditë me taksat tuaja dhe të qëllojnë policinë. Si mund të rrezikohet jeta e të miturve duke i hedhur në rrugë si një lukuni e verbër për agjendën tjetërkujt? Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë si mallkim në fakt që nga viti 1912 dhe që e dimë shumë mirë se e kujt është prej 30 e kusur vitesh, sot mbështetet dhe nga duart të tjera, duar të huaja, duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë, nuk e duan Shqipërinë të shohë drejtë, të ecë përpara dhe të merret çdo ditë me problemet e saj për t’u përmirësuar, që nuk e duan Shqipërinë pjesë të familjes së bashkuar europiane, që nuk e duan Shqipërinë aty ku ajo do të shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga këto duar dhe nga zgjedha e zgjedhjes së detyruar.”, u shpreh ai.

Pavarësisht kritikave të tij ndaj protestuesve që përfshihen në akte dhune, Rama pranoi se studentët, sipërmarrësit dhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë nga qeveria.

Rama hodhi poshtë idenë e tërheqjes përballë dhunës, duke argumentuar se një veprim i tillë do të sillte pasoja afatgjata për vendin.

“Ndërkohë që po, studentët, sipërmarrësit, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, prindërit e tyre kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, ndërkohë që po, problemet janë aty, duhen adresuar, ndërkohë që po jemi këtu për të bërë më të mirën me aq sa dimë, aq sa mundemi, duke përpjekur çdo ditë të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më mirë. Mos harroni se e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu, e kemi sjellë Tiranën deri këtu dhe këtë nuk e ka sjellë as koha, nuk e kanë sjellë as rrethanat apo rastësia, këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse për të ecur përpara dhe kush thotë le të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon. Gabon sepse të përkulesh përballe dhunës për pakëz qetësi do të thotë ta humbësh qetësinë dhe ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës për pakëz qetësi dhe e dimë të gjithë se nuk ka arritur asgjëkund. “, deklaroi Rama, duke u shprehur se nga kjo “do te dalin me te forte”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›