Rama deklaroi se nuk jep dorëheqjen, ish-ministri i Jashtëm: Vendimi më i keq për Shqipërinë dhe për atë vetë! S’ka asnjë cilësi prej burrështetasi
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se nuk do të japë dorëheqjen, pavarësisht protestave të ditëve të fundit në vend.

Në një reagim në rrjetet sociale, Mustafaj shkruan se zgjidhja politike që kërkojnë studentët protestues është dorëheqja e kryeministrit Rama, por ky i fundit u shpreh se nuk do ta ndërmarrë një hap të tillë.
Sipas ish-ministrit, ky është vendimi më i keq për Shqipërinë dhe për atë vetë, që Edi Rama ka marrë gjatë këtyre tridhjetë vjetëve që është në politikë.
“Edi Rama iu përgjigj prerë e thatë kësaj thirrjeje: Nuk dorëhiqet. Ky është vendimi më i keq për Shqipërinë dhe për atë vetë, që Edi Rama ka marrë gjatë këtyre tridhjetë vjetëve që është në politikë”, shkruan Mustafaj.
Ai kritikon edhe mënyrën se si Rama ka ardhur dhe ka qëndruar në pushtet, duke argumentuar ai nuk është në gjendje të vlerësojë politikisht zhvillimet dhe pakënaqësinë e shprehur në rrugët dhe sheshet e vendit.
Sipas ish-ministrit “Rama nuk ka asnjë cilësi prej burrështetasi”.
Reagimi i plotë i Besnik Mustafajt:
Kam përcjellë shumë e shumë postime në rrjetet sociale lidhur me protestat e studentëve gjatë këtyre ditëve të fundit. Por po veçoj vetëm njërin, i cili më duket më thelbësor, shkruar nga mjekja Anika Dokle. Daljen nga kjo krizë, e cila edhe me kaq rrezikon të ketë pasoja fort të rënda për vendin, Doktoreshë Dokle e sheh vetëm përmes zgjidhjes politike.
Dhe, në mungesë të shenjave se kjo zgjidhje politike po vjen, ajo thërret: “A ka mbetë ndonjë burrështetas në këtë vend?” Pra, është një krizë, zgjidhja e të cilës kërkon vizionin, dashurinë për atdheun si dhe vendosmërinë, që vetëm burrat e shtetit e kanë.
Zgjidhja e vetme politike, e kërkuar në mënyrë të qartë, madje shpesh edhe ultimative nga studentët protestues është dorëheqja e Ramës dhe largimi i tij nga drejtimi i qeverisë si përgjegjësi kryesor për korrupsionin e rëndë dhe molepsjen e shtetit me krimin e organizuar.
Edi Rama iu përgjigj prerë e thatë kësaj thirrjeje: Nuk dorëhiqet. Ky është vendimi më i keq për Shqipërinë dhe për atë vetë, që Edi Rama ka marrë gjatë këtyre tridhjet vjetëve që është në politikë. Ndikimi i këtij vendimi u duk qysh mbrëmë në brutalizimin e mëtejshëm të policisë ndaj protestuesve.
Duke ardhë në pushtet në rrugë e me mjete parapolitike dhe duke qëndruar në pushtet kaq gjatë në po atë mënyrë, Edi Rama nuk ka aftësinë për ta vlerësuar politikisht atë që po ndodh në rrugët e në sheshet e mbarë Shqipërisë. Kështu, e dashur Doktoreshë Dokle, ai vetë nuk ka asnjë cilësi prej burrështetasi. Por, fatkeqësisht për shqiptarët, as përreth nuk paska ndonjë të tillë.