Nuk do të thotë vetëm Ramushi kryeministër

Daut Haradinaj kur është pyetur se a mund të plotësohet kërkesa e AAK-së që vetëm me Ramushin kryeministër do të hynte në Qeveri, ka dhënë një përgjigje diplomatike, duke thënë se politika është formë e menaxhimit, duke shtuar se mund të mos jetë vetëm Ramushi kryeministër.
"Politika është formë e menaxhimit, nuk do të thotë që vetëm Ramushi kryeministër edhe dikujt tjetër të i mohohet e drejta, por në rast se do të ketë një kompromis, një parti fituese e zgjedhjeve, atëherë edhe kjo do të mund të ndodh sepse ka edhe oferta të tjera. Por edhe njëherë po e përsëriti akoma është herët që të flasim për një koalicion të mundshëm përderisa elementi ose personazhi kryesor nuk është në lojë. Ne duhet të presim datën 29, duhet të presim kthimin e Ramush Haradinajt në Kosovë dhe qëndrimet e tij do të jenë publike me siguri edhe për Kosovapress-in", ka theksuar Haradinaj.
Se AAK-ja po pret lirimin e Ramush Haradinajt për të shqyrtuar këtë mundësi e thotë edhe vet Dauti, i cili shtoi se me lirimin e tij nga Haga skena politike në Kosovë do të ndryshojë.
"Nuk dua me spekuluar, por gjithsesi skena do të ndryshoj në Kosovë pas kthimit të Ramush Haradinaj dhe duhet të i japim kohë kësaj teme dhe të shohim", ka thënë ai.
Një kusht ka dal nga zyrtarët e kësaj partie që nuk do të hyjë në Qeveri me njerëzit e SHIK-ut, por sipas Haradinajt me këtë gjë duhet merren organet e drejtësisë dhe jo politikanët.
"Unë mendoj që përgjigjen duhet të japin organet gjegjëse, jo politikanët. Politikanët kanë për detyrë të ngrisin një çështje të rëndësishme dhe ajo çështje është ngritur me një shpejtësi të dritës nëse mund të quaj ashtu dhe unë shpresoj që SHIK-u nuk është aktiv e kam quajtur kriminal i financuar nga krimi dhe mendoj që ka bërë aktivitete kriminale. Por këto nuk janë përgjegjësitë e mia, me këtë temë duhet të merret drejtësia", ka deklaruar deputeti Haradinaj.
Ndonëse është parë shpeshherë që AAK të mbështet Qeverinë e Kosovës, për deputetin Haradinaj kjo është bërë në raport me bisedimet me Serbinë, por edhe për çështje të tjera.
"E vërteta është që ne kemi votuar në favor të ofertave qeveritare, por përfundimisht ka edhe raste, kur nuk jemi pajtuar. Si aleancë kemi menduar të jemi konstruktiv në këto rrethana të cilat janë shumë të rëndësishme për Kosovë, edhe aq më tepër kemi të bëjmë me një palë kundërshtare me quajtur ashtu Serbinë që po vazhdon të jetë kërcënim serioz për Kosovën. Arsyeja e vetme ka qenë që ne të jemi unik në disa qëndrime në raport me palën tjetër. Ndërsa brenda për brenda si parti opozitare nuk është që jemi pajtuar me qeverinë ose që jemi afruar, por ka pas gjëra të drejta që me i përkrah", ka potencuar ai.
Madje, ai beson që ekzekutivi i vendit nuk do të largohet nga qëndrimi që ka dhënë dhe nuk do të bëjë kompromise për veriun e vendit.
"Unë nuk besoj që Qeveria e Kosovës do të largohet nga qëndrimet publike dhe nga pakoja e Ahtisaarit, edhe pse pakoja e Ahtisaarit ju jep shumë përgjegjësi strukturave legale serbe në atë pjesë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm të i rrisim investimet në veri dhe ne duhet të bëjmë ftesë publike që ata qytetar të jetojnë lirshëm të ndien Prishtinën si kryeqytet të tyre dhe pajtohen me realitetin e ri që Serbia e ka humbur Kosovën njëherë e përgjithmonë", tha ai.
Për të, festa e 28 nëntorit është një ngjarje e madhe e kombit shqiptar, por jo vetëm kaq pasi që në këtë datë Haradinaj, së bashku me shokët e tij kanë dal edhe publikisht me uniformën e UÇK-së.
Por ai thotë që në atë rast nuk ka dal si Daurt Haradinaj, por si një djalë i gjithë atyre që kanë qenë të armatosur.
"Por unë në këtë rast kisha pas dëshirë me thënë nuk kam dal si Daut Haradinaj, por kam dal si një djalë i gjithë atyre që kanë qenë të armatosur dhe të gatshëm me dhënë jetën për lirinë e vendit. Edhe merita ju shkon gjithë atyre njerëzve që e dhanë jetën dhe të cilët luftuan për lirinë e Kosovës. Ndërsa individët të cilët kanë hyp në bin janë vetëm fizik dhe jo më shumë", ka thënë Haradinaj.
Këtë festë ai ka vendosur që të festoj me familjen e tij, duke u bërë gati për 29 nëntor kur pritet të merret vendimi për Ramush Haradianj./Kosovapress/