E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmat e Ballkanit përzgjidhen në Prishtinë

Për tri ditë në Prishtinë qëndruan dy seleksionues të Festivalit të Filmit në Berlin. Ata erdhën në Prishtinë për të përzgjedhur filmat e Ballkanit Perëndimor, të cilët, nëse u pëlqejnë, do t’i rekomandojnë për t’u shfaqur në Berlinale.

Dy seleksionues të Festivalit të Filmit në Berlin, i njohur si Berlinale, Nikolaj Nikitin dhe Bernd Buder, tash e disa ditë po qëndrojnë në Kosovë. Detyra e tyre është që të bëjnë para-seleksionimin e filmave për Berlinale 2013 për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ata të premten u takuan edhe me ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi, i cili shprehu besimin se filmat nga Kosova shumë shpejt do të jenë në konkurrencë zyrtare në këtë festival.

Selektimi i filmave të Ballkanit në Kosovë ishte paralajmëruar gjatë Berlinales se sivjetshme, me ç’rast ministri Krasniqi kishte takuar shumë kineastë dhe organizatorë të këtij festivali. Në takimin me ministrin e Kulturës morën pjesë edhe Drejtori i QKK-së, Fatos Berisha si dhe Kryetari i Bordit, Arben Zharku. Ministri Krasniqi vlerësoi se zhvillimi i fazës para-seleksionuese në Kosovë është një hap i rëndësishëm për kinematografinë në vend, e me këtë rast falënderoi përfaqësuesit e festivalit Berlinale për bashkëpunimin e ofruar.

Ai shfaqi përkushtimin që bashkëpunimi mes institucioneve të kulturës në Kosovë dhe Berlinales të rritet. Ministri po ashtu shprehu besimin se shumë shpejtë filmat nga Kosova do të jenë në konkurrencë zyrtare në këtë festival, por edhe festivale të tjera. Duke folur për gjendjen e kinematografisë në vend, ministri shtoi se në dy vitet e fundit janë vërejtur përparime, si në përkrahje të QKK-së nga ana e MKRS-së por edhe në angazhimin e vet QKK-së për të qenë sa më prezent në ngjarjet e mëdha të kinematografisë në botë, por edhe në lidhje të bashkëpunimit. Ministri tha se Kosova ka shumë talentë dhe entuziastë në fushën e kinematografisë. Ai njoftoi mysafiret se përkrahja nga shteti për filmin do të rritet edhe vitin e ardhshëm. “Prodhimi në kooproduksion është një nga format më të mira që të ketë një punë sa më cilësore në prodhimtarinë filmike”, tha me këtë rast ministri Krasniqi.

Nga ana tjetër, Nikolaj Nikitin vlerësoi se në Kosovë po sheh një përparim në fushën e kinematografisë, mbi të gjitha tha ai në energjinë dhe njerëzit e rinj që po punojnë në këtë drejtim. Ai përgëzoi ministrin Krasniqi për shumë hapa të rëndësishëm që MKRS-ja ka marrë në këtë drejtim, duke vlerësuar se Kosova vërtetë ka talentë të shumtë në kinematografi, të cilët, sipas tij, meritojnë të jenë në prioritet. Nikitin shfaqi vullnetin për rritje të bashkëpunimit dhe tha se Kosova tashmë do të jetë një nga qendrat referuese në Ballkan për kinematografi.

Pas takimit me ministrin e Kulturës, gjatë orëve të mbrëmjes, për dy paraseleksionuesit e Berlinales, Qendra Kinematografike e Kosovës organizoi një pritje në Hotel Victory. Regjisorë, skenaristë dhe filmbërës të shumtë erdhën për t’u takuar me dy para-seleksionuesit, me shpresë së ndonjë film i tyre do të përzgjidhej për të shkuar në Berlinale.

Fatos Berisha, drejtor i QKK-së, përmendi disa suksese të filmave nga Kosova, të cilët janë prezantuar nëpër festivale të huaja të filmit dhe nuk janë kthyer duarthatë.

“Është filmi ‘Kolona’, i cili fitoi në Korenë e Jugut, pastaj filmi tjetër i shkurtë i Arzana Krajës, ‘Shkurta’, i cili u dha premierë botërore në Rio de Zhaneiro dhe i cili mori një mirënjohje speciale, pastaj projekti i regjisorit Isa Qosja, ‘Tri dritare dhe një varje’, i cili fitoi si projekti më i mirë në Cotbus në Gjermani”, tha Berisha, duke e konsideruar si sukses edhe faktin se QKK apo Kosova gjatë këtyre tri ditëve ishte nikoqire për para-seleksionimin e filmave për Ballkanin Perëndimor.

Njëri prej seleksionuesve, Bernd Buder, tregoi se për tri ditë kanë shikuar filma artistikë, të shkurtër dhe dokumentarë. Ai shtoi se të dy kanë parë mbi dyzetë filma të shteteve nga ish-Jugosllavia dhe Shqipëria. “Nuk më lejohet të komentoj për kualitetin e tyre sepse shumica ende nuk janë të kompletuar, por mund të them se kemi parë stile të ndryshme. Do të rekomandojmë disa prej tyre dhe pastaj do të bëhen bashkë me pjesën tjetër të filmave. Vendimi final do të merret në Berlin”, tha ai.

Ndërsa, Nikolaj Nikitin shfaqi shpresën se disa prej regjisorëve kosovarë t’i takojë edhe në Berlinale. “Është një udhëtim tradicional që ne e bëjmë nëpër vendet e Ballkanit, ku takojmë producentë e filmbërës”, tha ai.

Filmat që para-seleksionohen do të arrijnë në Berlinale ku do të vendoset për filmat konkurrues.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›