E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk do t’i japim as Presidentin e as Kryeprokurorin”

25/01/2010  Ilir Meta deklaron se çfarë ka kërkuar Rama për të thyer bojkotin
Sipas tij, mandatet që mund të humbasë PS mbeten tek opozita
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm Ilir Meta, ka deklaruar se opozita i ka bërë presione mazhorancës duke i kërkuar që t’i falë të drejtën e përcaktimit të Presidentit të ardhshëm të Republikës. Sipas Metës, bojkoti i Partisë Socialiste përmes urdhrit të kryetarit të saj Edi Rama është një presion i pastër ndaj mazhorancës parlamentare për të marrë Presidentin dhe drejtuesin e ardhshëm të Prokurorisë së Përgjithshme. Por Meta i ka konsideruar këto pazare si karagjozllëqe. “Të jenë të sigurt se s’do t’u japim as Presidentin, as Kryeprokurorin dhe as kryetarin e gjykatave që na e kërkojnë si pazar për të bërë një krizë që e kanë sajuar vetë, pasi ajo nuk ekziston, është veçse një çoroditje në mendjen e tyre. Të jeni të sigurt se çdo gjë do të zgjidhet duke zbatuar Kushtetutën”, tha Meta. Kryetari i LSI-së reagoi edhe ndaj zgjidhjes së çështjes së mandateve të deputetëve socialistë, nëse ata nuk kthehen në Parlament e bëjnë betimin si deputetë brenda fillimit të muajit mars. “Mos mendoni se zëvendësimi i mandateve të atyre që do të hyjnë do të jenë nga partitë qeverisëse. Jo, do të jenë nga PS dhe koalicionet e opozitës bazuar në Kodin konsensual që hartoi Rama me Berishën”, tha Meta.
Deklarata e Ramës
Partia Socialiste do të jetë sërish në rrugë dhe jo në Kuvend. Ky ishte mesazhi më i fundit i lëshuar dje nga kreu i kësaj partie, Edi Rama. Kryetari i socialistëve deklaroi prerë se rruga e protestave do të ndiqet dhe në muajt në vijim deri në largimin e qeverisë “Berisha”, nëse nuk hapen kutitë. “Do ta largojmë këtë qeveri me fuqinë e protestës popullore, siç janë larguar të tjera në vende të tjera”, nënvizoi Rama, duke vënë në dukje faktin se një vendim i tillë u mor në mënyrë referendare nga anëtarësia e Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›