E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i organit të akuzës drejt standardizimit të plotë

25/01/2010  EURALIUS: Buxheti të analizohet edhe në rrethe, të ngrihen pagat e menaxhuesve
TIRANE- Sistemi i menaxhimit të buxhetit të Prokurorisë së Përgjithshme, është duke u përmirësuar ndjeshëm, dhe nga viti në vit ai po standardizohet, duke bërë që shumat financiare të shpenzohen për shërbime pune dhe zëra të tjera. Ky konkluzion ka ardhur nga një studim që kanë kryer specialistët e Misionit Evropian të Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (EURALIUS), të cilët nga argumentimi i 8 zërave që konsumohen në organin e akuzës si: karburant, energji elektrike, thirrje telefonike e të tjera, konstatuan se këto shpenzime financiare janë planifikuar dhe kontrolluar sipas standardit të vënë nga ndërkombëtarët. Pa dyshim që jo të gjitha zyrat e Prokurorisë në rrethe kanë respektuar standardet, pasi në disa prej tyre vazhdon të mbetet shqetësim konsumimi i lartë i energjisë elektrike dhe karburanti. Këto zyra ndodhen në pjesën veriore të vendit, ku edhe i ftohti zgjat disa muaj më tepër. Gjithashtu studimi ka nxjerrë se këto dy faktorë dhe udhëtimet, janë zërat që konsumojnë më shumë lekë nga shërbimet e tjera, si posta, uji apo produkte të tjera. Pavarësisht kësaj raporti i EURALIS-it, tregon se shumica e zyrave të prokurorive janë të përgatitura për përmirësimin dhe menaxhimin e buxhetit bazuar në standarde. Për këtë nevojitet vetëm koordinim i vazhdueshëm dhe mbikëqyrje e procesit, gjë të cilën EURALIUS sugjeron që lidhur me këtë çështje të kryhet analizimi i mekanizmave buxhetore në të gjitha prokuroritë e rretheve. Sipas ekspertëve të këtij misioni, nëpunës të buxhetit në qarqe duhet të krahasojnë treguesit e tyre të buxhetit dhe më pas ti raportojnë zyrës qendrore, jo vetëm të dhëna për çdo Prokurori, por edhe rezultate të analizës në nivel qarku. Kjo skemë mund të përdoret lehtësisht nga institucionet gjyqësore, pasi ndarja e tyre në 4-5 qarqe nuk është çështje e ndërlikuar. Ndërkohë që në raport specialistët e EURALIUS-it, janë ndaluar edhe në pagën mujore të punonjësve civile, të cilët sipas ekspertëve të huaj nuk motivohen financiarisht. Në raport shkruhet se herë pas herë, paga e tyre është rritur, por megjithatë sistemi i motivimit të punës së punonjësve të buxhetit në varësi të rezultateve të arritura nga kontributi real i punës, nuk është krijuar akoma në Shqipëri.
Zërat e analizuara
• Energjia elektrike
• Uji
• Shërbimi postar
• Telefonia fikse
• Kancelaria
• Abonimi në literaturën profesionale
• Shpenzimet e transportit
• Shpenzime karburanti për makinat
Ndërkombëtarët trajnojnë punonjësit e prokurorive me shembuj konkretë nga BE-ja
Lidhur me menaxhimin e buxhetit konform standardeve të kërkuara, ekspertët e EURALIUS-it në 22 janar të këtij viti kryen një trajnim me specialistët e menaxhimit të buxheteve në prokuroritë e rretheve. Trajnimi kishte si qëllim përmirësimin e menaxhimit të buxhetit duke përdorur metodën statistikore dhe përdorimin e modeleve të buxhetit të institucioneve gjyqësore në vendet evropiane. Në trajnim kanë marrë pjesë kancelarë dhe punonjës të zyrave të financës në rrethe të vendit, për të diskutuar bazat e përdorimit të metodave statistikore për analizën e efiçensës së shpenzimeve buxhetore dhe modelimin e standardeve të brendshme të përkohshme. Metodat e reja të prezantuara nga EURALIUS, të cilat aplikohen nga disa vende të tjera të Bashkimit Evropian, nuk janë të ndërlikuara për specialistet e financës ne institucionet buxhetore. Gjatë trajnimit u përdorën metoda, variante të ndryshme se si mund të realizohen kursime të konsiderueshme të burimeve të buxhetit, që mund të bëhen nëpërmjet uljes së shpenzimeve. Për të gjitha zërat u dhanë shembuj konkretë të mara nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Bashkëpunimi është iniciuar nga Italia
Kryeprokurorët e 6 shteteve,
memorandum për goditjen e krimit
TIRANE- Kryeprokurorja Ina Rama do të nënshkruajë sot një memorandum me 5 vendet e tjera të Ballkanit, ku qëllimi i tij do të jetë thellimi i luftës kundër krimit të organizuar. Mësohet se memorandumi është iniciuar nga Italia dhe vendet që do marrin pjesë në të, janë Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Serbia, Kroacia dhe Maqedonia. Këta shtete do të bien dakord për koordinimin e informacionit dhe goditjen e krimit të organizuar, që vepron në gadishullin e Ballkanit. Ky memorandum nënshkruhet menjëherë pas liberalizimit të vizave në shumicën e vendeve të Ballkanit, ku dhe mundësia e grupeve kriminale për të bashkëpunuar me njëri-tjetrit është rritur ndjeshëm. Gjashtë kryeprokurorët e këtyre vendeve mësohet se sot do të takohen në kryeqytetin italian në Romë, nga ku do të bien dakord për goditjen e përbashkët të krimit të organizuar. Një gjë të tillë e ka kryer edhe Ministria e Brendshme, e cila disa vite më parë me ministritë e vendeve të sipërcituara ka nënshkruar memorandumin për koordinimin e informacionit me qëllim goditjen e eksponentëve kriminalë që veprojnë në gadishullin e Ballkanit dhe Itali. Aktualisht kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi dhe në bazë të saj janë kryer disa operacione ndërkombëtare. E. Qyno
Shpëtim Bega dhe Bujar Sallata
Falsifikonin pasaporta bullgare,
2 persona merren të pandehur
TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për dy shtetasit Bujar Sallata dhe Shpëtim Bega, të cilët janë marrë të pandehur për veprën penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”, “prodhim i mjeteve për falsifikim të dokumenteve” dhe “falsifikim i dokumenteve”. Nga administrimi i të dhënave në dosje mësohet se dy të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin pranë sheshit “21 dhjetori” falsifikimin e pasaportave bullgare. Mekanizmi për falsifikimin e pasaportave bullgare ka nisur kohë më parë, diku në vitin 2004. Në atë kohë, Bullgaria mori ftesë për tu pranuar në BE, ndërsa në Shqipëri flitej se kishte pakica bullgare sidomos në disa zona të Dibrës. Shumë shqiptarë, të cilët i dinin hilet e zanatit, filluan të interesoheshin dhe të kërkonin nënshtetësi bullgare, si pakica kombëtare. Shumë prej tyre arritën të falsifikonin dokumente sikur kishin lindur në ato zona, ku ka pakica bullgare, me qëllim që të marrin një pasaportë bullgare. Si prova materiale për të faktuar këtë aktivitet kriminal në gjykatë, Prokuroria ka dokumentuar rreth 10 raste si dhe ka sekuestruar 2 pasaporta bullgare, pajisje për falsifikimin e dokumenteve, vula e mjete të tjera. Gjithashtu në dosje ndodhet edhe një kasetë filmike, ku autorët janë filmuar gjatë momentit të dhënies së pasaportës bullgare qytetarëve të ndryshëm. E. Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›