Qeveria e re në pranverë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të mundë të lidhin zyrtarisht koalicion së paku deri në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm.
Kjo, për faktin se partia e kryeministrit Hashim Thaçi nuk është e gatshme që t’i hyjë kësaj “aventure” me partinë e Ramush Haradinajt, derisa nuk e përfundon procesin e zgjedhjeve të brendshme dhe Kuvendin e Përgjithshëm.
Njëri nga drejtuesit e PDK-së i ka thënë “Zërit” në kushte anonimiteti se kryetari i kësaj partie, Thaçi, është i interesuar që fillimisht t’i përfundojë zgjedhjet në parti, t’i vendos personat e caktuar në pozita të caktuara, e më pas të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar.
“Si të hyjmë me AAK-në detyrimisht duhet t’i largojmë disa ministra (të PDK-së) nga qeveria. E frika se këta mund të rebelohen dhe të bëjnë ndonjë problem në kohën kur po mbahen zgjedhjet e brendshme e ka shtyrë kryeministrin që koalicionin e mundshëm ta shtyjë deri në shkurt”, thotë ai, duke shtuar se në momentin që të hyjë Aleanca në qeveri do të “digjen” shumë njerëz të PDK-së të cilët mbajnë pozita të larta si në Partinë Demokratike të Kosovës, dhe ne ekzekutivin e vendit./Indeksonline/