Nuk e njoh këtë gjyq
Gjyqi me rrena që iu bë Albin Kurtit nga strukturat nëntokësore të PDK-së tregon sa thellë është fundosur në baltë kultura politike në Kosovë. Viktima të gjyqeve të tilla mund të jenë të gjithë qytetarët që nuk pajtohen ti nënshtrohen këtij regjimi votëplaçkitës. Për këtë arsye dhe shumë të tjera është me rëndësi që ky regjim të kundërshtohet me të gjitha mjetet demokratike
Nga Enver Robelli
Kundër shpifjeve e kemi mbrojtur edhe vetë Hashim Thaçin. Pas luftës shpesh është thënë se kryeministri i tanishëm i Kosovës derisa kishte jetuar në qytezën Dietikon të Zvicrës skishte bërë gjë tjetër përveçse kishte vjedhur farmerka. Asnjë dëshmi sështë sjellë për këtë akuzë, por politikisht ajo është shfrytëzuar mjaft nga kundërshtarët politikë të Thaçit. Nga kjo përvojë mund të thuhet se Thaçi është i sensibilizuar personalisht me fuqinë e shpifjes. Por kjo përvojë nuk ka bërë punë: Hashim Thaçi, përmes (s)piunëve të tij, tregoi faqe bote se edhe vetë shpifjen (ende) e ka armë politike. Kësaj radhe këtë armë e përdori kundër Albin Kurtit, nesër mund ta përdorë kundër secilit qytetar të Kosovës. Mund të dalë në të ardhmen ndonjë bakter politik e të thotë: Filan, të kam parë duke e shikuar qiellin. Në atë moment qiellit po kalonte avioni i kompanisë ajrore serbe JAT. Befas piloti hapi dritaren dhe hodhi nga lartësia një grumbull letrash, mes tyre edhe një plan të detajuar për bashkëpunim me Serbinë dhe një platformë për shndërrimin e Kosovës në Kore Veriore. Këtë punën e Koresë Veriore e njohim mirë, sepse e kemi një ekspert për këtë punë, të cilin së shpejti do ta ftojnë edhe CNN dhe BBC për të komentuar zhvillimet në diktaturat aziatike. Kjo përrallë do të mund të zgjatej me metodën ad absurdum. Kjo përrallë ndoshta më së miri e ilustron programin politik të qeverisë aktuale, që synon njollosjen e çdokujt që i del në rrugë e kjo rrugë është një qorrsokak.
Ky tekst nuk e mbron politikanin Albin Kurti, as idetë e tij politike. Si qytetar, ndërkaq, shoqëria e Kosovës duhet ta mbrojë jo vetëm Albin Kurtin nga stuhia e shpifjeve. Sepse, sërish duhet thënë, çdo qytetar i Kosovës mund të bie pre e politikës që po e praktikon PDK. Ky tekst, gjithashtu, përmes biografisë së Albin Kurtit e vë në pah një pjesë të së vërtetës publike për Albin Kurtin!
Albin Kurti spiun i Serbisë? Këtë përshtypje u përpoqën ta krijojnë strukturat jopartiake të PDK-së. Ku ishin këta njerëz, për shembull, më 9 mars 2000? Ndonjëri prej tyre mund të ketë qenë i zënë duke rrahur ndonjë plakë serbe a rome, tjetri duke zaptuar banesa në Prishtinë, e tjetri mbase duke bërë plane për të frikësuar rivalët politikë. Pas luftës ishte urdhër që të vriteshin krejt figurat e LDK-së. Pasi bëhej vrasja, mblidheshim të festonim dhe ishte një festë e vërtet për të gjithë. Këto janë fjalët e Nazim Bllacës, specialist për rrahje, vrasje e plagesa dhe i vetëshpallur si anëtar i shërbimit ilegal të spiunazhit në shërbim të PDK-së.
Më 9 mars 2000 në Nish kishte filluar procesi gjyqësor kundër Albin Kurtit. Fillimisht i akuzuari u mor në pyetje nga gjykatësja Sllagjana Petroviq. Ky dialog dhe të dhënat në vazhdim (të shkëputura nga libri Gjykimet e pengjeve të gazetarit Fahri Musliu) janë fakte historike dhe i mbetet publikut të krijojë mendimin për Albin Kurtin, edhe në dritën e akuzave shpesh qesharake të plasuara së fundi nga qarqe të PDK-së.
Nënshtetësia?
Gjykata e Qarkut të Nishit, salla nr. 79, kati i tretë.
Gjykatësja Sllagjana Petroviq (në vazhdim GJ): Emri dhe mbiemri?
Albin Kurti (në vazhdim A.K.): Albin Kurti.
GJ: Emri i babait?
A.K.: Zaim.
GJ: Emri i nënës?
A.K.: Arife Kurti.
GJ: Mbiemri i vajzërisë së nënës?
A.K.: Tahiri.
GJ: Data e lindjes?
A.K.: 24 mars 1975.
GJ: Vendlindja?
A.K.: Prishtinë.
GJ: Vendi ku jetoni?
A.K.: Prishtinë.
GJ: Nënshtetësia?
A.K.: Republika e Kosovës.
GJ: (I drejtohet daktilografes) Shënoni! I akuzuari në pyetjen se çfarë nënshtetësie ka, u përgjigj se është shtetas i Republikës së Kosovës.
GJ: Profesioni?
A.K.: Student.
GJ: A e keni kryer shërbimin ushtarak në Ushtrinë e Jugosllavisë?
A.K.: Jo.
GJ: A e keni marrë thirrjen?
A.K.: Jo! Por edhe sikur ta kisha marrë nuk do ti përgjigjesha, sepse Ushtria Jugosllave është ushtri okupatore. Në të vërtetë ishte, sepse tani nuk është më.
(…)
GJ: A e keni kuptuar aktakuzën?
A.K.: Po, dhe do të dëshiroja të them disa fjalë.
GJ: Urdhëroni.
A.K.: Unë kam punuar si anëtar i Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP) dhe njëherit si kryetar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kryesinë e UPSUP-së. Veprimtaria jonë kryesore ka qenë organizimi i demonstratave, të cilat kanë pasur për qëllim lirimin e objekteve dhe të hapësirës universitare, prej nga ne studentët dhe profesorët shqiptarë jemi dëbuar me dhunë në qershor të vitit 1991, dhe qëllim i këtyre demonstratave ka qenë realizimi i pavarësisë së Republikës së Kosovës, realizimi i vullnetit politik të popullit shqiptar, për çfarë ai u deklarua në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Pra veprimtaria jonë në UPSUP ka qenë e orientuar kundër regjimit fashist serb të Sllobodan Millosheviqit, i cili me forcat e veta policore dhe ushtarake e mbante Kosovën të okupuar, kurse ndaj popullit shqiptar në Kosovë zbatonte dhunë, represion sistematik dhe terror të paparë. Gjithashtu kam punuar edhe si sekretar i Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Adem Demaçi. Angazhimi im si sekretar ka qenë në përfaqësimin dhe avancimin sa më të mirë të politikës së UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare. Lufta çlirimtare e UÇK-së ishte luftë e drejtë gjithëpopullore, që kishte për synim qëllimin e shenjtë: çlirimin e Kosovës dhe të popullit shqiptar nga robëria serbe dhe realizimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pra lufta çlirimtare ishte mjet, kurse pavarësia qëllim. Pavarësia e Republikës së Kosovës është e vetmja zgjidhje e mundshme dhe e pranueshme. Për popullin shqiptar në Kosovë pavarësia është çështje ekzistenciale, sepse vetëm në Kosovën e pavarur shqiptarët ndihen të lirë, të sigurt dhe vetëm në Kosovën e pavarur ndihen si mund ti realizojnë të drejtat e tyre. (…) Edhe në UPSUP, e po ashtu edhe si sekretar i z. Demaçi, kam punuar vullnetarisht, me përpikëri dhe punën time e kam kryer në mënyrë dinjitoze. Për krejt çka kam bërë jam krenar. Sikur të më jepej rasti që edhe njëherë të filloj nga e para, asgjë nuk do të ndryshoja, në çdo gjë do të veproja sërish njësoj.
Në fund unë këtë gjyq nuk e njoh e as nuk e pranoj, ashtu siç nuk e njoh e nuk e pranoj as Serbinë e as Jugosllavinë. (…) Ky gjyq është në shërbim të politikës ditore fashiste të Milosheviqit. (…) Pas kësaj fjale time unë nuk do të përgjigjem më në pyetjet e këtij gjyqi, që nuk e njoh. Unë përgjigjem vetëm para gjyqit të popullit tim. Rrjedhimisht nuk ka rëndësi se sa do të më dënoni 10, 20, 30 apo 50 vjet. Për mua dënimi nuk paraqet kurrfarë mase vlerësuese për asgjë.
Politikë me shpifje
Më 13 mars 2000