E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përndjekurit politikë Goditja me votë!

Bilal Kola

Mora shkas për ti shkruar këto rreshta për dy arsye:

E para Në cilësinë e një të persekutuari politik (personalisht jam lindur dhe rritur deri 18 vjec në një kamp internimi, ndërsa si familje kemi 12 të pushkatuar pa gjyq, 40 vite burg dhe rreth 500 vite internim) dëshiroj të shpreh keqardhjen e sinqertë për goditjen fizike që iu bë Z. Ilir Rusmali nga një i persekutuar politik, pasi goditja fizike është absolutisht e pa-tolerueshme jo vetëm ndaj Z. Ilir Rusmali por edhe të atit të tij apo cilitdo tjetër pavarësisht pozicionit apo aktivitetit përkatës në rregjimin totalitar. Megjithatë, në këtë kontekst, vërej me krenari se, ndonëse ky veprim është tërësisht i papranueshëm, në këto 21 vite pseudodemokraci (ku të persekutuarit politikë mbeten te tillë dhe nuk janë bërë de facto ish, megjithëse pafajësinë e kanë marrë 21 vite të shkuara,  pasi ende nuk shihet në horizont dëmshpërblimi i plotë financiar i cili u takon me ligj) raste të tilla sporadike numërohen me gishtat e njërës dorë, në kontrast të plotë me marzhinalizimin, diskriminimin si dhe abuzimin qe rëndom iu është bërë emrit dhe veprës së të përndjekurve këto 21 vjet (shkaku për rastin në fjalë ishte mosvarrosja nga shteti i një të përndjekuri kufoma e të cilit ndodhej prej 20 ditësh në morg në pamundësi financiare për tu varrosur nga të afërmit).

E dyta Ndërkohë që unë arrij të kuptoj irritimin mëse të drejtë të Z. Bejko në goditjen fizike që ky i ka bërë Z.Rusmali, i bëj thirrje vëllazërore Z. Bejko dhe nëpërmjet tij cilitdo të përndjekuri që ndihet si ai, që të mos heqin dorë nga goditja, por të ndryshojë thelbësisht dhe cilësisht formën e saj pasi goditja më efikase është ajo me votë. Më poshtë parashtroj  argumentat e mi pse goditja duhet bërë vetëm me votë:

Nëse konvencionalisht do të binim dakort që politika përfaqëson shumatoren e vlerave dhe interesave të përbashkëta të grupeve të  ndryshme sociale dhe atyre të interesit në funksion të mirëqeverisjes së vendit, bazuar në këtë përkufizim natyrshëm shtrohet pyetja: A ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta sot të përndjekurit me PD?

Në këtë kontekst besoj se ia vlen një analizë e vlerave dhe interesave përkatëse:

Vlerat

E drejta e votës – vjedhja e hapur dhe masive e votave qe PD kreu ne 1996, stoicizmi për të mos hapur kutitë e fletëve të votimit dhe/ose materialeve të votimit në zgjedhjet e 2009-s si dhe maskarada e zgjedhjeve vendore të Majit 2011 për bashkinë e Tiranës, provojnë qartazi recidivizmin e PD në shkeljen e vlerës më të shenjtë të sistemit demokratik – votën e lirë! Përsa i përket zgjedhjeve të 2009-s nuk besoj që ka ndonjënjeri që duke arsyetuar sadopak të mos dalë në konkluzionin llogjik n.q.s. zgjedhjet e 2009-s nuk ishin të manipuluara, qoftë edhe vetëm për të demaskuar lëvizjen 1-vjecare të opozitës, PD do të (duhet ti) kishte hapur kutitë.

E drejta e jetës pakkush më shumë se familjarët e të persekutuarve politikë mund ta ndjejë dhimbjen e familjarëve të viktimave të 21 Janarit pasi, në kohë, kontekse dhe situata të ndryshme, të dyja palët ndajnë midis tyre të njejtën tragjedi makabre ekzekutimin pa gjyq të familjarëve të tyre nga armët e pushteteve.

Shitja e territorit tmerrësisht therës dhe absolutisht i patolerueshëm për cdo shqiptar ishte akti i shitjes së ujrave territoriale, por dyfish poshtërues ishte ky akt për ata të përndjekur (të gjallët ose pasardhësit e të vdekurve) që u pushkatuan, burgosën e syrgjynosën për shkak se pëshpëritën, folën ose kërkuan bashkimin kombëtar.

Interesat 

Në cdo vend të botës demokratike sanksionohet me ligj se cilido person që vuan një dënim të padrejtë merr dëmshpërblimin përkatës. Për cilindo që me ose padashje e njehson dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë me integrimin e tyre dëshiroj të sqaroj se: ndërsa dëmshpërblimi është një element tërësisht ligjor dhe për rrjedhojë 1 dimensional, duke përbërë kësisoj kusht paraprak për integrimin, integrimi është një element thelbësisht social dhe për pasoje shumë-dimensional, i cili natyrshëm shtrihet në planin social, ekonomik dhe atë politik. Që të përndjekurit politik nuk jane të integruar këtë e di dhe bufi (pasi jo vetëm që nuk është plotësuar kushti paraprak i dëmshpërblimit por gjëkundi nuk shihen kuotat e tyre të përfaqësimit në rrafshin social, ekonomik dhe aq më pak në atë politik), por pyetja therëse është: përse këta janë kaq të marzhinalizuar pse jo dhe të diskriminuar aq sa ndonjërit prej tyre nuk denjohet ti bëhet përcjellja për në banesën e fundit nga qeveria-shtet e cila, në shkelje të ligjit dhe në mungesë të dëmshpërblimit, po vetë pamundëson të afërmit për kryerjen e ritualeve të fundit nderimore?!

Pa dashur të bëj ekspertin e psikologjisë a politologjisë, pasi nuk jam i tillë, ndoshta përgjigja e kësaj pyetjeje gjendet në përshkrimin që Berisha dikur i ka bërë kësaj shtrese si llumi i kombit (fakt ky i bërë botërisht i ditur nga Edi Rama, së fundmi edhe në librin e tij Kurban).

Të përndjekurit dhe PS:

Vlerat

Dihet nga shumëkush që qoftë PD dhe PS janë bija të Partisë së Punës, por ndërsa e para me vepra i ka përdhosur keqazi vlerat e demokracisë dhe ku shëmbëlltyrë e komportimit të jashtëm (parti institucione qytetarë) është ai i brendshëm (struktura partiake) i cili në thelb jo vetëm që nuk ka asgjë të përbashkët me partitë popullore europiane por gjithnjë e më shumë ngjason me ndonjë mbretëri absolute në të cilën nuk pipëtin dhe lëviz asgjë pa bekimin e mbretit absolut; për të dytën pa mëdyshje mund të thuhet se prej vitesh përfaqëson partine më demokratike dhe me fryme kolegjiale në Shqipëri dhe pritshmëria natyrshëm është që me të njëjtën frymë domokratike të komportohet nesër në pushtet në marredhëniet parti institucione – qytetarë. Nga një këndvështrim krahasimor vlerash, shtoji kësaj edhe faktin se cfarë historikisht përfaqësojnë liderët respektivë Berisha dhe Rama (i pari sekretar partie që shëtiste në barkën e Enverit dhe i dyti 1 rrebel anti-sistem me bindje liberale qysh në rininë e hershme) me llogjikë të pastër, vlerat e të përndjekurve politikë mishërohen qartazi në ato cka sot përcjell PS dhe lideri i saj.

Interesat

Me trendin e sotëm (ndërsa ligji për dëmshpërblimin i vitit 2007 parashikon 1 periudhë 8 vjecare me 1këst/vit, për dëmshpërblimin e plotë të përndjekurve) kur ende shumë të përndjekur nuk kanë marrë këstin e parë, i bie që kjo qeveri, në shkelje totale të ligjit, të mos e përfundojë procesin për më shumë se 40 vjet të tjerë. Nga ana tjetër është shumë inkurajues fakti që PS dhe posacërisht lideri i saj Rama i shohin në plan-programin e Partisë Socialiste cështjet e dëmshpërblimit të të përdnjekurve dhe kthimit të pronës pronarëve legjitimë si cështje kryekëput ligjore që janë në themel të shtetit (deri tani të munguar) të së drejtës. Po ashtu është kuptimplotë fakti se përtej zgjidhjes së problemit minimalist dhe ligjor të dëmshpërblimit, PS ka ngritur një grup pune për hartimin e programit të integrimit të përndjekurve politikë, pjesë e të cilit me kënaqësi jam bërë edhe une. Të gjithë të përndjekurit politikë dhe familjarët e tyre të cilët ndajnë vlerat e demokracisë reale dhe shtetit të së drejtës, kanë një mundësi të kontribuojnë në programin e PS për integrimin e tyre social, ekonomik dhe politik në shoqërinë shqiptare në dobi të vendit, shoqërisë dhe jetës së tyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›